Prej Albinit opozitar te Kurti qeveritar

23 qershor 2022 | 16:17

Nga Prof. Jeton Kelmendi, PhD

Është deri diku normale që një politikan të dallojë për nga qasja kur është në opozitë me qasjen në pozitë, mirëpo si është puna e kreut të Qeverisë së Kosovës.

Që ta kemi një pasqyrë sa më të saktë duhet t’i kthehemi pak historikut, pra të nisemi prej Albinit, atij opozitarit energjik dhe qasjes së tij dhe partisë së tij për të vazhduar deri tek Kurti i sotëm. Jo vetëm kosovarët, por edhe diplomatet e vendeve të ndryshme jo rrallë herë e kritikonin, për qasjen e tij jo fort të zakonshme në një vend demokratik. E nëse i kthehemi veprimeve të Albinit, kemi shumë akte të çoroditura, prej dhunës ndaj policëve, rrëzimit të kamionëve, e deri tek gazi dhe molotovi kundër kolegëve deputetë.

Albini ultranacionalistë?

Se për sharje, pështymje e shpallje tradhtar të oponentëve të vet, mbase kjo ka qenë gjella më e zakonshme e këtij njeriu. Pra, nëse e përshkruajmë Albinin me një fjali, mbase më së sakti do mund të thuhej Albinin është ultranacionalist dhe shqiptar i madh. Kjo përshtypje sidomos mund tu është krijuar laikëve të politikës dhe edhe atyre që nuk ishin në kohë reale aty ku duhej. Për ketë aspekt mund të ketë edhe ide të tjera, por besoj që secili mund të pajtohet se prej Albinit kishim një politikan fjalëmadh, por si ka vazhduar pastaj rrugëtimi deri te Kurti i sotëm!

Prej Albinit revolucionar deri të Kurti qeveritar ka një mal ngjarjesh dhe nëse i shtjellojmë të gjitha këto, na duhet jo një shkrim analitik, por mund të shkruhen edhe libra, por nejse ma kjo nuk ka shumë rendësi. Me rendësi është se Albini i ka shpallur tradhtar krejt politikanët që nuk kanë qenë në shërbim të tij, për të premtuar përmirësim të krejt këtyre gjërave sapo të vije në pushtet dhe kjo ka ndodhur pas më shumë se një dekade, ku ky person erdhi e u bë Kurti.

Si Kurti, – ky politikan, jo se nuk ka ndryshuar gjë në qasjen dhe politikëbërjen e tij, por të njëjtat i ka nënshkruar, shih së fundi marrëveshjen për energjinë në veri të vendit, ose edhe atë për targat. Këto na shpërfaqin një person krejt tjetër, pra prej Albinit opozitar deri të Kurti qeveritar nga dukja kemi një ndryshim radikal, saqë duket sikur këtij njeriu ia ka tredhur dikush mendjen, ose kemi krejt një njeri tjetër. Realisht, çdo veprim i tij dhe partisë së tij ka qasje tjetër, mirëpo si ka mundësi kjo gjë të ndodhë? Jo pra jo assesi. Prej Albinit deri të Kurti ka shumë lëvizje, ka shumë oscilime dhe mbi të gjitha ka shumë pamje, të cilat e mistifikojnë personalitetin e çuditshëm të këtij njeriu, por ajo që do doja ta shtroja është se Albini ka qenë ai Kurti që e kemi sot, por se a mund të ketë qenë i veshur me lëkurën e patriotit, teksa trupin e ka të politikanit? Për mua, duke u mbështetur edhe në historikun e tij dhe gjenezës së tij familjare, Albin është ky Kurti që kemi sot dhe ka qenë po ky Kurti që njihej si Albini i derisotëm, ai thjeshtë ka ditur të luaj mirë lojën e politikanit Makiavelist, ku çdo gjë ku ai nuk ka qenë pjesë ka qenë e keqe, madje edhe veprimet e Ibrahim Rugovës, ndërsa krejt çka ka ndodhur me të është e mirë dhe e suksesshme. Me një fjalë, prej Albinit opozitar deri te Kurti qeveritarë kemi shumë vite të humbura për Kosovën dhe një ngecje e cila i ka dhënë shije të keqe politikës kosovare, kurse qytetarët janë ata dhe ato që sot po i bartin pasojat e këtij udhëtimi satanik: prej humbjes së rastit për liberalizimin e vizave, deri të prosperiteti në proceset integruese evropiane dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Shkurt e shqip, ky rrugëtim ishte nis e sos prej kurkushit deri askund, prandaj jemi në ketë stad, ku shpresat e shqyera të qytetarëve nga po ky njeri, tani nuk po mund të qepen as nga Albin, as nga Kurti, e bile bile as nga Albin Kurti.      

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artistja e njohur shqiptare, Vjosa Berisha, ka ndërruar jetë sot…