Prej kujt po fshehet Gjykata Speciale?

11 qershor 20:44

Faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e cila ndryshe njihet edhe si Gjykata Speciale, ditët e fundit nuk ka qenë e qasshme për hapjen e dokumenteve të çështjeve gjyqësore të ish-ushtarëve të UÇK-së që ndodhën në paraburgim në Hagë.

Qasje në dokumente nuk ka pasur në vendimet e konfirmimit të aktakuzave, vendimeve të fletarrestimeve, transkriptimeve, vendimeve mbi kërkesat e palëve të mbrojtjes dhe vendimeve të tjera.

Në të gjitha këto dokumente ditët e fundit nuk ka pasur qasje jashtë Kosovës, si në ShBA, Francë, Zvicër, Belgjikë, Holandë… etj. Shumë shqiptarë që jetojnë në shtete të Evropës dhe të botës (emra të njohur për redaksinë) kanë njoftuar për mospasje të qasjes në shkarkimin e dokumenteve te faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

 

Gazeta “Epoka e re” në lidhje me këtë shqetësim u ka dërguar pyetje Dhomave të Specializuara dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pyetja drejtuar për këto dy institucione: Dokumentet e publikuara në faqen e Dhomave të Specializuara nuk hapen në shtetet e tjera, vetëm brenda Kosovës. Pse nuk ka qasje jashtë Kosovës në këto dokumente, pra nuk hapen dokumentet që publikohen nga Dhomat e Specializuara?

No description available.

Ministria e Drejtësisë ka kthyer përgjigje, duke sugjeruar që për këtë pyetje duhet kërkuar përgjigje te Dhomat e Specializuara. “I nderuar z. Qorraj, ju lutemi, pyetjen e mëposhtme ta drejtoni në adresë të Dhomave të Specializuara. Faleminderit për mirëkuptim!”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

No description available.

Pavarësisht se edhe Dhomave të Specializuara u është dërguar pyetja të premten në orën 11:00, gazeta nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi. Megjithatë, po të premten, rreth orës 17:00, qasja në dokumente (në shkarkimin e tyre) në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, është kthyer. Pra, kjo gjë ka ndodhur pas interesimit të gazetës “Epoka e re”.

Avokati Artan Qerkini: Ky veprim është i habitshëm dhe është në funksion të eliminimit të transparencës së punës së Dhomave të Specializuara

Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, Artan Qerkini, ka thënë se është i habitur nga mospasja qasje në dokumentet e Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se të gjitha dokumentet duhet të jenë të qasshme.

Qerkini thotë se nëse ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë nuk ia merr mendja se është e rastësishme.

“Kjo për mua si avokat është shumë e habitshme dhe për herë të parë po e dëgjoj një gjë të tillë. Çdo dokument që prodhohet nga Dhomat e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, por edhe nga avokatët mbrojtës, duhet të jenë të qasshme. Nga Kosova edhe vetë kam shkarkuar disa dokumente nga faqja e Gjykatës Speciale me qëllim që ta përcjell praktikën gjyqësore. Për mua është shumë e çuditshme pse ato dokumente që shkarkohen në Kosovë nuk mund të shkarkohen edhe prej shteteve të tjera të Evropës dhe të ShBA-së. Nëse nuk ka pasur ndonjë problem teknik, nuk po di se si kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse kjo ka ndodhur, nuk ma merr mendja se është e rastësishme. Nëse një gjë e tillë është bërë me qëllim, ky verim konsiderohet si veprim që është në funksion të eliminimit të transparencës së punës të Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai.

No description available.

Qerkini ka thënë se edhe në tribunalin për ish-Jugosllavi dokumentet kanë qenë të qasshme. “Edhe nëse tash hyni, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë do të keni mundësi t’i shkarkoni të gjitha ato dokumente të cilat kanë karakter publik, sepse ato dokumente që nuk kanë karakter publik nuk mund t’i shkarkojmë as në Kosovë. Dokumentet që janë publike, si vendimet e gjykatave, kërkesat e prokurorisë dhe ankesat e mbrojtjes, janë publike dhe, si të tilla, do të duhej që shkarkimi i tyre të jetë i qasshëm prej secilit shtetet në botë”, ka thënë Artan Qerkini, avokat i akredituar në Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime, të pretenduara, përmenden në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

No description available.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi si dhe Salih Mustafa janë ndër udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë.

(Mal Qorraj / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqiptarët në Mal të Zi sot kanë arritur një fitore…