Prekaz, 30 dhjetor 1991!

31 dhjetor 2023 | 01:43

Shkruan: Ahmet Jashari

Pasi dëgjova një rafal arme, si në ëndërr, sa hap e mbyll sytë dëgjova babën, Ilazin, duke na bërë zë mua dhe motrës që të ngriteshim ngadalë.
– Çka ndodhi? – e pyeta paksa i hutuar.
– Kurgjo, çonu e veshnu kadal se do krisma u ninë kah shpia e bacës Shaban! – tha duke provuar të ruante qetësinë dhe të mos na frikësonte mua (16 vjeçar) dhe motrën (10 vjeçare) që ishim bashkë atë natë në shtëpinë tonë në Prekaz, ndërsa nëna me vëllaun dhe dy motrat e vogla kishin qëlluar të dajtë në Mitrovicë.
Baba doli jashtë, ndërsa unë e motra u ngritëm pa u ngutur dhe pa ditur se çfarë po ndodhte atë mëngjes të 30 dhjetorit 1991. Dolëm në oborr, ende ishte errësirë dhe ftoftë. Prej derës së korridorit të dhomës ku kishim fjetur dukeshin disa drita të zbehta në shtëpinë e bacës Shaban, dikur rreth 200 metra tutje. Në shtëpinë tonë të vjetër jetonin edhe gjyshërit dhe tre axhallarët me familje. Baba u zhduk në errësirë, ndërsa unë e motra shkuam në pjesën e shtëpisë së axhës Shefqet. Ai po ashtu kishte dalur jashtë, ndërsa brenda mbetëm unë me motrën, gjyshërit si dhe gruan e axhës me dy fëmijë të vegjël. Derën kah oborri e mbanim hapur duke pritur të ktheheshin burrat që kishin dalur. Axha Shefqet kishte dalur sokakut, ndërsa kur kishte arritur afër rrugës kryesore e kishte vërejtur një polic me automatik, në këndin e murit që rrethonte shtëpitë e bacës Shaban.
– U stepa kur i vizëlloi helmeta, isha diku rreth 30 metra larg tij. U fsheha pas murit të djalit të axhës, Ganiut dhe aty mbeta një copë herë! – tregon Shefqeti sa herë e përkujtojmë atë ngjarje.
Axha tjetër Kajtazi, ishte nisur me një sopatë në drejtim të shtëpisë së bacës Shaban dhe për fat bashkë me babën Ilaz takohen me bacën Rifat dhe bacën Adem (baca Hamëz sipas asaj që kam dëgjuar pas rastit kishte dalur më herët nga rrethi), të cilët pasi kishin shtënë në drejtim të policisë që kishte rrethuar shtëpinë e tyre, kishin shpërthyer rrethin dhe po kalonin në një shteg gardhi që ndante arën e tyre me oborrin tonë. Nuk i pashë, por i dëgjova duke folur me babën. Ua njoha zërat. Ata kishin vazhduar në drejtim të lagjes Mehaj, ku do të bashkoheshin me vëllaun, Hamzën, për të vazhduar mandej betejën nga ana e lagjes Kodra, kodrinë e përshtatshme ku duket si në shuplakë të dorës lagjja Jashari.
Baba u kthy dhe na tha që të largoheshim nga shtëpia në drejtim të fshatit Klinë. Nga shtëpia jonë të parët dolëm unë me motrën, gruan dhe dy fëmijët e axhës Shefqet. Në ndërkohë kishte zbardhur dita dhe derisa po ngjiteshim rrugës mbi shtëpitë tona pamë policinë përreth shtëpisë së bacës Shaban. Na vërejtën edhe ata, por nuk pati ndonjë të shtënë në drejtim tonin. Pas nesh kishin dalur në të njëjtën rrugë edhe axha Kajtaz me familje dhe me djalin e axhës së tij, Ganiun, ndërsa mandej edhe baba me axhën Shefqet. Në shtëpi kishin mbetur vetëm gjyshërit e mi të moshuar. Baba pasi kishte arritur në Skënderaj takohet me vëllain e tij të vogël Ragipin, i cili pasi kishte dëgjuar për rastin kishte dalur herët në qytet. Pasi kupton se në shtëpi kishin mbetur prindërit vendos që të niset për atje. Baba vendos ta shoqëroj dhe mos ta lë vetëm. Rrugës kah kishim dalur edhe ne arrijnë në shtëpi. Baba tregonte se pasi kishin arritur aty, prindërit ishin shqetësuar tejmase dhe i kishin qortuar më të madhe pse ishin kthyer. Në ndërkohë policia afroheshin në drejtim të shtëpisë sonë nëpër oborrin e shtëpive të bacës Shaban. Baba dhe axha Ragipi ishin tërhequr dhe mandej kishin kuptuar nga prindërit e tyre se disa minuta pas tyre kishte arritur policia që i kishte pyetur kush ishin ata që dolën.
Në ndërkohë shumë burra e djem të lagjes ishin arrestuar dhe maltretuar rëndë. Disa ishin dënuar edhe me burg.
Pas disa ditësh u kthyem nëpër shtëpitë tona, të cilat ishin bastisur nga policia. Pothuajse të gjitha dyert ishin thyer me shqelma.
Në lagje kishin vërshuar vizitorë nga e gjithë Kosova. Prej atij momenti policia në Prekaz nuk do të lëvizte më. Nëse provonin dikush përkujdesej t’i priste nga mali me pushkë. Tashmë të gjithë e kishin kuptuar se ai është Adem Jashari me vëllain, Hamzën dhe kushërinjtë tjerë që atëherë ju kishin bashkuar rrugës së lirisë, sikur Sahiti e Musa, të tjerët nga lagjet Kodra, Lushtaku, Mehaj dhe gjithashtu nga Prekazi i Epërm, Drenica dhe gjithë Kosova.

P.s. (Nuk është histori, është vetëm përjetimi im)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet i fuqishëm ka goditur Bosnjën dhe Hercegovinën mbrëmjen…