Prekazi: Kosova ka talente, koha punon për futbollin shqiptar

07 prill 2020 | 21:05

I ftuari i radhës në emisionin FanZone në Supersport, ishte trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi, i cili përveç komentit për situatën e krijuar nga koronavirusi, foli me optimizëm për të ardhmen e futbollit në Shqipëri e Kosovë.

A ndikon negativisht edhe te Kosova U21, mungesa e grumbullimit në këtë kohë?
Është shumë normale, për të gjithë skuadrat, kombëtaret, ndikon. Uroj të kalojë ky virus dhe më pas për futbollin ka kohë.

Futbollisti i Kosovës U21, Valdrin Mustafa ishte një prej të prekurve nga Covid-19. A keni folur me të?
Para dy javësh fola me Valdrinin. Është pjesë e Kosovës U21 dhe me Hannover U23. Ishte në shtëpi kur fola në telefon me të. Më tha se pret stafin mjekësor për të bërë testin. Më tha që ka dhimbje në fyt dhe në gjoks. Tani është shëruar dhe po stërvitet individualisht.

A kujtoni ndonjë moment tjetër të ndaljes së futbollit si tani?
Kemi pasur probleme, që sigurisht kanë qenë politike. U ndalua futbolli për ne atëherë, pasi nuk ishim dakord të luanim në ligën jugosllave dhe zgjodhëm të luanim në fusha jo të mira. Atëherë ndalej futbolli për arsye politike, tani për shkak të koronavirusit.

Cili mendoni se do të jetë lojtari i radhës që do të shpërthejë te Kosova?
Dihet që Kosova ka talente, pasi këtu është luajtur futboll në një shtet të fortë. Liga e Jugosllavisë ishte e dyta në Evropë, por kanë ikur nga jeta e vështirë këtu, kurse atje punojnë në kushte të mira. Fati i mirë është që janë të gjithë shqiptarë. Ata do e përforcojnë Kosovën dhe Shqipërinë. Koha punon për futbollin e Kosovës dhe shqiptar në përgjithësi, pasi ka shumë talente. Ne kemi pasur kushte të këqija, por tani kanë ndryshuar. Jam optimist.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prezantuesja e mirënjohur shqiptare, Alketa Vejsiu, vazhdon të dërgojë mesazhe…