Presidenti i Indonezisë takohet me Putinin, thotë se ia ka përcjellë mesazhin e presidentit Zelensky

30 qershor 22:24

Presidenti indonezian Joko Widodo thotë se i ka dërguar një mesazh nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky udhëheqësit rus Vladimir Putin.

Widodo u takua të mërkurën me presidentin ukrainas në një vizitë në Kiev dhe sot ka qenë në Moskë për një takim me Putinin.

“Unë i përcolla mesazhin e presidentit Zelensky, presidentit Putin”, tha Widodo pas bisedimeve në Moskë.

Ai nuk zbuloi se çfarë thoshte mesazhi, por shtoi se ka shprehur “gatishmërinë” e tij për të ndihmuar në fillimin e komunikimit midis dy liderëve.

Widodo ka thënë se Indonezia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Rusinë dhe nga ana tjetër Putin u tha gazetarëve se Rusia është e gatshme të përmbushë nevojën e Indonezisë për plehra – furnizimi i të cilave është prekur nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore.

Udhëheqësi indonezian është presidenti aktual i grupit të kombeve G20 dhe anëtar i një grupi krize të Kombeve të Bashkuara, i krijuar për të trajtuar kërcënimin e urisë globale që rezulton nga lufta.

Widodo e ka ftuar Zelenskyn në samitin e G20 të nëntorit në Bali. Dhe AFP raporton se presidenti ukrainas i tha Widodos se pjesëmarrja e tij do të varej nga kush tjetër do të ishte atje – Rusia është anëtare e G20 dhe si e tillë pritet që Putini të marrë pjesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka vendosur një embargo tregtare kundër Sirisë dhe sanksione…