Presidenti slloven propozon Janez Janshën kandidat për kryeministër

26 shkurt 16:41

Presidenti slloven, Borut Pahor, të mërkurën ka emëruar ish-kryeministrin Janez Jansha, kandidat për kryeministër të ri dhe i ka kërkuar Parlamentit të konfirmojë emërimin e tij, raporton “Reuters”.

Javën e ardhshme, pritet që Parlamenti të konfirmojë, kreun e Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Janez Jansha, në pozitën e kryeministrit.

Ai do të zëvendësonte Marjan Sarec, nga partia e qendrës së majtë, i cili ka dhënë dorëheqjen muajin e kaluar.

“Në bisedime me grupet parlamentare zbulova se kandidati gëzon mbështetje të shumicës, dhe se ne mund të presim konfirmimin e tij (në parlament)”, ka thënë presidenti Borut Pahor

Emërimi vjen një ditë pasi SDS-ja ka rënë dakord për një koalicion me partinë e qendrës së djathtë Qendra Moderne, partinë konservatore Sllovenia e Re dhe partinë e pensionistëve Desus.

Të katër partitë së bashku mbajnë 48 nga 90 vendet në parlament.

Jansha, 61 vjeç, ka drejtuar qeverinë sllovene nga viti 2004 deri më 2008 dhe nga 2012 deri më 2013.

Ai është i afërt me kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe ka mbrojtur politikën e kontrolleve të rrepta kufitare për të parandaluar fluksin e emigrantëve të paligjshëm.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, qeveria e tij do të rrisë pensionet dhe do t’i japë më shumë para nga buxheti qeverive lokale.

Pasi të konfirmohet nga parlamenti, Jansha do të ketë 15 ditë për të paraqitur qeverinë e tij, e cila pritet të miratohet nga parlamenti deri në fund të marsit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka…