Presidentja Osmani dënon vrasjen e Liridona Ademajt: Akt monstruoz
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademajt.
Osmani e cilësoi këtë akt si monstruoz dhe kërkoi që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, tha Osmani.
Ajo theksoi se është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, theksoi ajo.
E para e shtetit të Kosovës, tha se në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.
Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, në mesin e tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Murseli dyshohet se i ka paguar 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij.