Presidentja Osmani: Nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste ndaj SHBA-së

11 shtator 2023 | 09:29

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 11 shtatori, sulmet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani në postimin e bërë në Facebook thotë se nderojnë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste.

“11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë. Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka pohuar presidentja.

Ndryshe, sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator të vitit 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Si pasojë e këtij sulmi, rreth tre mijë persona kanë humbur jetën. Në mesin e viktimave ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica prej viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot ka nisur viti i ri shkollor për çdo nxënës…