Prezantohet Projektstrategjia për sundimin e ligjit

18 janar 2021 | 13:42

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, kanë prezantuar të hënën Projektstrategjinë për sundimin e ligjit, që buron nga procesi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit.

Me këtë rast, Selimi ka thënë se projektstrategjia përmban katër objektiva strategjike.

“Sot kemi përpiluar planin pesëvjeçar të ndryshimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, pra kemi finalizuar Strategjinë që del nga rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit. Kjo strategji përmban katër objektiva: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo strategji është nisma më serioze që Kosova e ka ndërmarrë drejtë avancimit të sundimit të ligjit, dhe për këtë proces ka falënderuar bashkëpunëtorët nga Ambasada e ShBA-së, Ambasada e Britanisë së Madhe, UNDP-ja,USAID-i, Bashkimi Evropian si dhe përfaqësuesit kyç të institucioneve të drejtësisë në vend.

Ndërsa kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, ka thënë se ky proces arrin të adresojë një numër të konsiderueshëm të çështjeve që ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë.

Edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, e ka vlerësuar lartë punën për finalizimin e Projektstrategjisë dhe njëkohësisht e ka falënderuar Selimin për bashkëpunim dhe angazhim në këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vildane Zeneli merr gjithmonë vëmendjen me paraqitjet e saj publike.…