Prindërit e Margionës kërkojnë burgim të përjetshëm për Krivaqës e Sejdiut (video)

26 tetor 2022 | 19:03

Gjyqtari i ka thirrur dëshmitarët kryesorë në këtë shqyrtim, të cilët janë prindërit e Marigonës, Valdete dhe Muhabi Osmani.

Nëna e Margionës, e ka përshkruar të gjithë ngjarjen, sipas saj, se si është sjellur e bija prej qershorit kur edhe ka ikur prej shtëpisë e deri në ditën kritike.

Ajo ka përshkruar se e bija fillimisht ka dalur për të kërkuar punë me 5 qershor 2021 dhe më pas e ka lajmëruar atë se ka shkuar bashkë me Dardanin në Shqipëri, gjë që kishte dalë se në Shëngjin të Shqipërisë kanë shkuar pas tre ditëve prejse kur ajo e ka njoftuar nënën e saj se nuk ndodhet brenda Kosovës.

Dhe, gjatë gjithë kësaj kohe e ëma e Margionës ka deklaruar s’e s’ka pasur asnjëherë mundësi të flasë vetëm për vetëm me të bijën e saj për dyshimet se ajo po keqtrajtohej prej Krivaqës, pavarësisht dyshimeve se e njëjta ka shpallur sjellje introverte, ka pasur shenja dhune në trupin e saj, e cila është munduar që vazhdimisht t’i kamufloj.

E ëma e Marigonës përpara trupit gjykues ka thënë se në ditën kritike, 22 gusht, kishte kuptuar për vdekjen e së bijës vetëm nga bashkëshorti i saj pasi i njëjti ishte munduar disa herë që t’ia fshihte këtë fakt, duke ia kërkuar për qëllime të tjera pasaportën e së bijës e që në fakt i njëjti dokument i ishte dashur babait të Marigonës, Muhabi Osmani, për ta identifikuar të bijën.

Momenti më i vështirë për nënën e Marigonës ka qenë koha kur trupi i së bijës i ka ardhur në shtëpi dhe  ajo ka thënë se e ka parë kufomën e së bijës të tërën të nxirë, pra në çdo pjesë të trupit dhe se vetëm pjesa e ballit ka qenë më e bardhë për dallim prej pjesës tjetër të trupit.

Pak më i shkurtët ka qenë babai i Marigonës, Muhabi Osmani, i cili gjatë kësaj kohe ka thënë se e ka takuar të bijën vetëm kur ajo e ka vizituar shtëpinë e babait të saj, gjithnjë nën shoqërimin e Krivaqës.

Mirëpo, ka qenë vetëm një rast kur babai i Marigonës ka shkuar për ta vizituar të bijën tek banesa e saj, por e ka gjetur derën e mbyllur.

Babai i Marigonës vazhdimisht është shprehur se e bija e tij duhet të ketë qenë gjatë gjithë kohës e keqtrajtuar dhe e keqtrajtuar nga Dardan Krivaqa  dhe se një gjë të tillë ai ka arritur ta kuptojë vetëm pas vdekjes së të bijës sepse përndryshe, sipas tij, nëse Marigona do të kishte shfaqur shenja dhe do ta kishte kuptuar një gjë tillë më herët, vrasja e Marigonës potencialisht nuk do të ndodhte për shkak se edhe babai i saj do të reagonte ndryshe.

Në fund të dëshmive, gjyqtari si pjesë e procedurës i ka pyetur palët se çfarë kërkojnë në këmbim pas ngjarjes së ndodhur, nëna e Marigonës ka thënë se i bashkohet kërkesës së avokatit për kompensim pasuror-juridik, ndërsa më specifik ka qenë babai i Marigonës, i cili ka kërkuar nga gjykata që ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut të shqiptohet dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Seancat e radhës në rastin e Marigona Osmanit janë 9 dhe 10 nëntori ku pritet të dëgjohen edhe tre dëshmitarë të tjerë që janë propozuar prej prokurorit në Ferizaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e çmimit të energjisë, inflacioni i lartë si edhe…