Prirjet

01 qershor 2026 | 15:13

CHARLES BAUDELAIRE

Prirjet[1]

Te një kopsht i bukur, ku rrezet e diellit vjeshtor dukeshin sikur vonoheshin me kënaqësi, nën një qiell të gjelbër ku disa re të praruara lundronin si kontinente në udhëtim, katër fëmijë të mrekullueshëm, katër djelmosha, me siguri të mërzitur nga loja, po flisnin me njëri-tjetrin.

Një prej tyre po thoshte:

– Dje më çuan në teatër. Në skenë, midis pallatesh të mëdha dhe të trishtuara, në sfondin e të cilëve duket deti dhe qielli, burra dhe gra, seriozë dhe të trishtuar, por më të bukur dhe të veshur më mirë se ata që shikojmë zakonisht, flasin me një zë melodioz. Ata kërcënojnë njëri-tjetrin, luten, nxehen, dhe e vënë shpeshherë dorën te thika që iu varet te rripi. Ah! Sa bukur që ishte! Femrat janë më të bukura dhe më shtatgjatë sesa ato që shohim në shtëpitë tona dhe, megjithëse kanë një pamje të tmerr­shme me sytë e tyre të mëdhenj e të futur dhe me faqet e tyre të skuqura, nuk mund të mos i duash. Atje ke frikë, të vjen për të qarë por, megjithatë, je i kënaqur… Dhe ç’është më e bukur, kjo gjë të jep dëshirën të vishesh dhe ti vetë po ashtu, të thuash dhe të bësh të njëjtat gjera, dhe të flasësh me të njëjtin zë …

Një nga katër fëmijët, që nuk po dëgjonte më tregimin e shokut të tij dhe vështronte me një fiksim të çuditshëm, nuk e di se çfarë pike në qiell, papritmas tha:

– Shikoni, shikoni atje…! A e shikoni, apo jo? Ai është ulur mbi një re të vogël të vetmuar, tek ajo reja e vogël ngjyrë zjarri, që lëviz ngadalë. Kam përshtypjen se edhe ai po na shikon.

– Për cilin e ke fjalën? – e pyetën të tjerët.

– Për Zotin! – u përgjigj ai duke i theksuar fjalët me bindje të plotë.

– Ah! Ai është tashmë shumë larg. Edhe pak dhe ju nuk do ta shikoni dot më. Me siguri, ai udhëton për t’i vizituar të gjitha vendet. Ja, tani po kalon mbrapa atij rreshtit me pemë që gjendet pothuajse në horizont … Ja, tani po zbret matanë kambanares…Ah! Nuk duket më.

Dhe fëmija qëndroi për një kohë të gjatë me fytyrën e kthyer nga e njëjta anë, duke fiksuar vijën që ndan tokën nga qielli, me sytë që shkëlqenin nga një shprehje e pashpjegueshme ekstaze dhe keqardhje.

– Sa i marrë është ky, me atë Zotin e tij, që vetëm ai mund ta shquajë – tha i treti, një djalosh trupvogël që binte në sy për gjallërinë dhe shkathtësinë e tij të veçantë. Unë do t’ju tregoj diçka që juve nuk ju ka ndodhur asnjëherë dhe që është pak më interesante se teatri dhe retë tuaja.

Para disa ditësh, prindërit e mi më morën me vete në një udhëtim, dhe meqenëse në bujtinën ku ne ndaluam nuk kishte krevate për të gjithë, ata vendosën që unë të flija në një krevat me shërbëtoren tonë – tha ai duke i tërhequr shokët e tij më pranë vetes dhe duke vazhduar të fliste me zë të ulët.

Ajo që më bëri përshtypje në mënyrë të veçantë ishte se nuk po flija vetëm, por në një krevat me shërbëtoren time në mes të errësirës. Ngaqë nuk më zinte gjumi, po zbavitesha duke përkëdhelur krahët, qafën dhe shpatullat e saj gjatë kohës që ajo flinte. Ajo i ka krahët dhe qafën më të trashë se të gjithë femrat e tjera dhe lëkura e saj është aq e butë saqë do ta merrnim për një letër shkrimi ose letër mëndafshi. Ndieja aq shumë kënaqësi dhe do të vazhdoja ende ta përkëdhelja për një kohë të gjatë po të mos kisha frikë se mos zgjoja dhe po të mos kisha frikë nga nuk e di se çfarë. Pastaj, zhyta kokën te flokët e saj të bollshëm si një krifë që i vareshin mbi shpinë. Ata binin erë të mirë, si lulet e kopshtit në këtë orë, ju betohem. Provojeni dhe ju kur të keni mundësi të bëni të njëjtën gjë, dhe do ta shikoni!

Autori i ri i këtij i zbulimi të hatashëm, gjatë kohës që tregonte historinë e tij, i kishte sytë të zgurdulluar nga një lloj habie për atë që ai vazhdonte të ndiente dhe rrezet e diellit perëndues, duke shkarë nëpër kaçurrelat kuqalashe të floknajës së tij të çrregullt, shkëlqenin si një brerore djallëzore pasioni. Ishte shumë e lehtë ta kuptoje se ky djalosh nuk do ta humbiste kohën e tij duke kërkuar hyjninë midis reve, por do ta gjente atë më shpesh gjetiu.

Më në fund, i katërti tha:

– Ju e dini që unë nuk zbavitem aspak në shtëpi. Mua nuk më çojnë asnjëherë për të parë shfaqje, sepse kujdestari im është shumë koprrac. Zoti nuk bëhet merak për mua dhe për mërzitjen time dhe për më tepër, nuk kam shërbëtore të bukur të më përkëdhelë. Shpeshherë kam përshtypjen se kënaqësia ime më e madhe do të ishte të shkoja gjithmonë përpara, pa e ditur se ku, pa shqetësuar askënd dhe të shihja përherë vende të reja. Unë nuk ndihem mirë kurrë e askund, dhe më duket gjithmonë se do të isha më mirë gjetiu se atje ku jam sot. Kur isha në panairin e fundit që bëhej në fshatin fqinj, pashë tre veta që jetonin ashtu si do të dëshiroja të jetoja. Ju me siguri nuk ju ranë në sy. Ata ishin të gjatë, të vrugët, shumë krenarë, dhe megjithëse ishin rreckamanë, ta krijonin përshtypjen se s’kishin nevojë për askënd. Sytë e tyre të errët dhe të mëdhenj shkel­qenin me të madhe gjatë kohës që luanin muzikë, një muzikë aq befasuese që të bënte herë për të qarë, herë për të kërcyer dhe herë të dyja njëherësh dhe që do të çmendte po ta dëgjoje për një kohë të gjatë. Njëri prej tyre, duke lëvizur harkun mbi telat e violinës, dukej sikur tregonte hidhërimin e tij, tjetri duke goditur me një çekiç të vogël telat e një pianoje që i varej në qafë[2] dukej sikur tallej me hidhërimin e fqinjit të tij, ndërsa i treti përplaste herë pas here me një tërbim të jashtëzakonshëm dy kimbale me njëra-tjetrën. Ata ishin aq të kënaqur nga vetja, saqë vazhduan ta luanin muzikën e tyre të egër edhe pasi turma u shpërnda. Më në fund, mblodhën paratë e fituara, ngarkuan bagazhet në kurriz dhe u larguan. Duke dashur ta dija se ku banonin, i ndoqa nga larg derisa iu afruan një pylli, dhe aty e kuptova që ata nuk banonin asgjëkund. Ndërkohë njëri prej tyre tha:

– Si thoni, ta hapim tendën?

– E pse – iu përgjigj tjetri, shih çfarë natë e bukur është!

Ndërsa i treti, duke numëruar paratë e fituara, tha:

– Këta njerëz nuk e ndiejnë fare muzikën dhe gratë e tyre kërcejnë si arusha. Fatmirësisht, muajin tjetër do të ikim në Austri ku njerëzit janë më të dashur.

– Unë them të ikim në Spanjë më mirë, sepse koha kalon; le t’ia mbathim përpara se të fillojnë shirat. Kështu do të lagim vetëm gurmazin – ia ktheu njëri nga dy të tjerët. Gjithçka më kujtohet mirë, siç e shihni. Pastaj ata pinë secili nga një filxhan me raki dhe u shtrinë për të fjetur me ballin e kthyer drejt yjeve. Më hipi një dëshirë e madhe që t’i lutesha të më merrnin me vete dhe të më mësonin se si të luaja veglat e tyre, por nuk guxova sepse, si gjithmonë, është shumë e vështirë të vendo­sësh për diçka dhe sepse kisha frikë se do të më kapnin përpara se të dilnim nga Franca.

Pamja e çinteresuar e tre shokëve të tjerë më bëri të mendoja se ky vogëlush ishte që në këtë moshë i pakuptueshëm nga ata. Po e shihja me vëmendje. Ai kishte në sy dhe në ballë diçka të shkruar, që shprehej në mënyrë të parakohshme, dhe që e bënte antipatik në sytë e të tjerëve, por që nuk e di pse ndillte simpatinë time deri në atë pikë saqë për një çast pata idenë e çuditshme se mund të kisha një vëlla që s’e njihja.

Dielli kishte perënduar. Nata madhështore po binte. Fëmijët u ndanë me njëri-tjetrin. Secili prej tyre po nisej, pa dashje, sipas rrethanave dhe rastësive, për ta ndjekur fatin, skandalizuar të afërmit, drejt rrugës së lavdisë apo të turpit.

 

Përktheu nga origjinali (frëngjishtja): Roland Çipa.

Marrë nga numri 26 i revistës për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie, “Akademia”.

© “Armagedoni”.

[1] Poemë e frymëzuar nga libri i Franc Listit “Rreth arixhinjve dhe muzikës së tyre në Hungari” (Die Zigeuner und ihre Musik in Ungarn).

[2] Autori këtu e ka fjalën për një vegël të ngjashme me pianon, e cila përdoret kryesisht nga arixhinjtë dhe që quhet czimbalum në Hungari, tambal në Rumani apo santur në Greqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iliaz Bobaj Në shtëpinë tonë trokiti një grua: - Ju…