Prishet koalicioni PDK-LDK në Prishtinë

08 shkurt 2024 | 15:35

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Uran Ismaili ka njoftuar se kanë prishur koalicionin qeverisës me LDK-në në Prishtinë.

Ismaili përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se i ka dorëzuar shkresën zyrtare për prishje të koalicionit, kryetarit Përaprim Rama.

“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka shtuar se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së ka sjellë i një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. “Nën udhëheqjen e shkëlqyer të nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK-ja janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë”, ka shkruar Ismaili.

Ismaili ka shtuar se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. “Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në kryeqytet”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se PDK në këtë koalicion qeveritar kishte ardhur pas një rezultati befasisht të mirë në zgjedhjet e 31 tetorit 2021 për asamble komunale. Kjo parti politike i kishte fituar 9 asamblistë, ose vetëm pesë më pak se LDK-ja.

Prishja e koalicionit ka ardhur pas shkarkimit të Ilirik Musliu nga pozita e drejtorit të shërbimeve Publike dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiut nga kryetari Përparim Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministrja…