
Prishtina dhe Ballkani kërkojnë maksimumin në derbi
Kampionia në fuqi, Prishtina dhe Ballkani të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballen në kuadër të derbit të javës së dytë në Superligën e Kosovës në futboll.
Të dyja këto skuadra duan fitoren e parë në këtë kampionat, pasi në xhiron e parë që të dyja luajtën baras. Prishtina vetëm në çastet e fundit të ndeshjes e barazoi rezultatin kundër Malishevës (1-1), ndërsa Ballkani luajti 2-2 me Dukagjinin e Klinës.
Mbrojtësi i Prishtinës për “Epokën e re” ka thënë se të dielën skuadra “bardhekaltër” në këtë ndeshje do ta shijojë fitoren.
“Duhet ta harrojmë ndeshjen e parë dhe të fokusohemi në ndeshjen e dytë. Jemi mjaft të motivuar për të dielën. Na pret një skuadër e fortë siç është Ballkani. Jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe, nëse luajmë siç dimë ne, do ta arrijmë edhe fitoren”, ka thënë Krasniqi.
Për ndeshjen ndaj kryeqytetasve ka folur edhe trajneri Bekim Isufi. Ky ka premtuar maksimumin për rezultat pozitiv.
“Kemi bërë një ndeshje të mirë, por gabime ka në futboll dhe ne do të përpiqemi t’i përmirësojmë ato në çdo seancë stërvitore. Jemi të kompletuar. Kemi një kundërshtar kampion. Ne do të dalim në fushë ta japim maksimumin për t’ia arritur qëllimit”, ka thënë Isufi.
SUPERLIGA – Java e dytë
Të dielën takohen:
17:00 Prishtina – Ballkani
17:00 Feronikeli – Gjilani
Të hënën takohen:
17:00 Dukagjini – Drenica
/Epoka e re/