Prishtina fiton dhe i afrohet titullit, Drita ndan pikët me Ballkanin

09 maj 2021 | 19:18

Sot janë zhvilluar ndeshjet e javës së 34-t në Superligë.

Skuadra kryesuese e renditjes, Prishtina ka shënuar fitore të mundimshme, por shumë të vlefshme në “Fadil Vokrri” në duel me Feronikelin, me rezultat 2:1. Tani bardhekaltrit kanë nevojë vetëm edhe për 1 pikë në dy xhirot e fundit për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit pas 8 vjetësh.

Leonit Abazi e kaloi Prishtinë në epërsi në minutën e 5-të. Shifrat u barazuan në minutën e 34-t, kur Ardit Nika nga pakujdesia realizoi autogol pas kthimit të topit nga mbrojtja. Megjithatë, golin e fitores Prishtina e arriti në minutën e 67-të, kur portieri mysafir reagoi dobët pas gjuajtjes nga këndi dhe në tentim për ta grushtuar topin e dërgoi atë në rrjetën e portës së tij.

Feronikeli pati mundësi të mirë për të dalë me një pikë nga ky takim, por në minutën e 75-të gjuajtjen e Simonovskit nga penalltia e ndali Nika. Dy ndjekëset më të afërta të Prishtinës, Drita dhe Ballkani duelin e tyre e kanë mbyllur baras, 1:1. Ky epilog e mban Dritën teorikisht ende në garë për titull, por jo edhe Ballkanin, skuadër e cila tashmë ngec 7 pikë me liderin dhe në dy javët e fundit i mbetet të luftojë për vendin e dytë, që po ashtu siguron pjesëmarrjen në garat evropiane.

Drita kaloi në epërsi në minutën e 17-të me golin e Xhevdet Shabanit, derisa golin e barazimit portokallezinjtë nga Suhareka e shënuan në minutën e fundit të pjesës së parë nëpërmjet Mirlind Dakut. Krahas garës për titull ende e paqartë mbetet edhe gara për mbijetesë. Trepça’89 shënoi fitore tejet të rëndësishme si vendase, duke e mundur Gjilanin me përmbysje të rezultatit (2:1).

Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 22-të me golin e Shend Kelmendit, por mitrovicasit iu gëzuan fitores me dy golat e shënuar nga Arbnor Muja, në minutat 56-të e 68-të. Tri pikë të rëndësishme në shtëpi i realizoi edhe Llapi në duel me skuadrën e fundit në renditje, Besën, me shifrat 1:0.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Elvis Prençi, në minutën e 57-të. Ndërkohë, dueli i dy skuadrave tjera që po luftojnë për mbijetesë, Arbërisë dhe Drenicës, që u zhvillua në Gjilan, është mbyllur pa fitues, 1:1.

Arbëria kaloi në epërsi me golin e Marclei Dos Santos në minutën e 23-të, derisa një pikë të rëndësishme kuqezinjve nga Skenderaj ia siguroi Kreshnik Uka, nga penalltia në minutën e 58-të.

Pas këtij barazimi Arbëria rikthehet në pozitën e parafundit në tabelë me 37 pikë, derisa Drenica tashmë është në pozitën e gjashtë, me 42 pikë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar pas sulmit që…