Prishtina, fituese e Superkupës 

20 janar 2024 | 16:26

Në një ndeshje mjaft interesante dhe emocionuese në Antalia të Turqisë, Prishtina ka triumfuar kundër Ballkanit, me rezultat 2:1, duke iu gëzuar trofeut të Superkupës së Kosovës. Deri te ky sukses bardhekaltrit e kryeqytetit arritën me golat e shënuar nga Egzon Sinani dhe Leotrim Kryeziu. Prishtina zhbllokoi shifrat në minutën e nëntë, kur qendërmbrojtësi Sinani shënoi gol të bukur me gjuajtje të saktë nga zona. Ndërkaq, me të filluar pjesa e dytë prishtinasit shtuan epërsinë, pas një aksioni të shkëlqyer, kur sulmuesi Kryeziu shënoi me kokë nga afërsia, pas harkimit të Kreshnik Ukës. Pas këtij disavantazhi trajneri i Ballkanit, Ilir Daja reagoi me disa zëvendësime, duke përfshirë edhe sulmuesin Krenar Dulaj. E pikërisht ky futbollist shënoi gol në minutën e 79-të, duke ngushtuar rezultatin në 2:1 dhe duke i dhënë shpresa skuadrës së tij për rikthim.

Megjithatë, në minutat e mbetura përkundër disa rasteve portokallezinjtë nga Suhareka nuk arritën të gjejnë edhe golin e barazimit. Me këtë fitore, Prishtina ka siguruar trofeun e 11-të të Superkupës, përkatësisht të nëntin pas çlirimit.

Medaljet për të dyja ekipet i ndanë nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani si dhe trajneri legjendar, Ajet Shosholli, derisa trofeun për kapitenin e FC Prishtina, e ndau presidenti Agim Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar…