Prishtina nuk dëshiron të lejojë befasi kundër Llapit

29 prill 2018 | 11:18

Prishtina është e përgatitur maksimalisht që mos të lejojë befasi në ndeshjen kundër Llapit e cila zhvillohet të dielën në Pejë. “Synimi ynë është titulli, prandaj nuk bën të gabojmë kundër Llapit, që është kundërshtar mjaft i fortë, i organizuar mirë dhe me lojtarë cilësorë”, ka thënë Fetahaj. Për tri pikë ka paralajmëruar se do të luajë edhe skuadra e Llapit.

FC Prishtina vazhdon të jetë konkurrentja kryesore e Dritës në garën për titull të kampiones në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Futbollisti Liridon Fetahaj ka thënë për gazetë se Llapi ka skuadër të mirë, por tri pikët do t’i takojnë skuadrës kryeqytetase për faktin se është e vetmja mënyrë për ta vazhduar rrugëtimin drejt titullit. “Synimi ynë është titulli, prandaj nuk bën të gabojmë kundër Llapit që është një kundërshtar mjaft i fortë, i organizuar mirë dhe me lojtarë cilësorë”, ka thënë Fetahaj.

Prishtina nga 28 ndeshje ka grumbulluar 53 pikë, kurse ka regjistruar 15 fitore, 8 barazime dhe 5 humbje. Kundërshtari i Prishtinës, Llapi, pas humbjes në fundjavën e kaluar nga Drita në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Besianë (1-3), synon të këndellët në ndeshjen që zhvillohet të dielën në Pejë.

Skuadra e Tahir Batatinës, që ishte kampione e vjeshtës, ende nuk ka hequr dorë nga titulli, ani pse diferenca me skuadrën kryesuese është 12 pikë. Këtë e ka konfirmuar për “Epokën e re”, Dardan Jashari. “Për ndeshjen ndaj Prishtinës nuk jemi të kompletuar, por kemi synime të mëdha. Përballë e kemi një skuadër të fortë që ka futbollistë cilësorë, por si në çdo ndeshje tjetër hyjmë për fitore”, ka thënë Jashari.

Skuadra e Llapit aktualisht renditet në pozitën e tretë me 45 pikë të grumbulluara, ku nga 28 ndeshje të zhvilluara, regjistroi 13 fitore, 6 barazime dhe 9 humbje. Të shtunën në kuadër të elitës zhvillohen dy ndeshje: Liria-Gjilani dhe Drenica-Vllaznia, kurse të dielën nga ora 16:00, krahas ndeshjes Prishtina-Llapi, zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera: Trepça ’89-Flamurtari, Drita-Feronikeli dhe Vëllaznimi-Besa.

Vala SUPERLIGA

Të dielën takohen:
Trepça ’89-Flamurtari
Drita-Feronikeli
Prishtina-Llapi
Vëllaznimi-Besa

LIGA E PARË

Të dielën takohen:
Dukagjini-Ballkani
Vushtrria-Kika
Trepça-KEK-u
Vitia-Ramiz Sadiku
Ferizaj-Kosova (P)

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësiti i zhytësve të FSK-së, bashkë Policinë e Kosovës, kanë…