Pritej të përfundohej më 2023: Autostrada Prishtinë-Gjilan kantier ndërtimi me gropa e lloç (Foto)

20 janar 2024 | 13:23

Shumë pak makineri dhe punëtorë u panë duke punuar në atë që njihet si “Autostrada Prishtinë-Gjilan”, më 17 janar. Ndërtimi nisi para gjashtë vjetësh, por punët në terren duket se po shkojnë shumë ngadalë. Gjatësia e kësaj autostrade është 22.6 kilometra dhe parashihej të përfundonte brenda 30 muajsh, apo në fund të vitit 2020.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thanë se janë paraqitur probleme të ndryshme nisur nga rrëshqitja e dheut, riformatimi i kontratave dhe rritja e sipërfaqeve të shpronësimeve.

“Problemet që kanë dalë gjatë rrugës kanë ndikuar që projekti të mos finalizohet në vitin 2023, ashtu siç kemi premtuar. Gjithsesi, ne mbetemi optimistë që autostrada deri në Bresalc të Gjilanit, do të finalizohet gjatë këtij viti”, thanë në MMPHI për REL.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, është marrë vendim për shpronësimin e disa prej parcelave shtesë në mënyrë që të përfundohet projekti sa më parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin korrik të vitit 2023, kishte inspektuar punët në këtë autostradë. Ai kishte premtuar se “punimet do përfundojnë brenda vitit 2023, pasi kanë përfunduar 70 për qind e punimeve”.

Në vitin 2018, është thënë se kjo autostradë, buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë 87 milionë euro. Por, në Ligjin për ndarje buxhetore të këtij viti, thuhet se vlera totale e kësaj autostrade është rreth 129 milionë euro.

Kjo autostradë pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj, thuhet në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Era e fortë përmbys kamionin në aksin Milot-Lezhë. Nga pamjet…