PRIZRENI – KRYEQYTETI HISTORIK I LIDHJES SHQIPTARE

30 maj 2023 | 17:02

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXLIII)

Shkruan: Berat Luzha

Padyshim, Prizreni është një qytet i bukur, interesant, historik, kulturor, universitar, fetar, shumetnik…, është qyteti i dytë më i madh dhe njëra ndër qendrat kryesore politike, ekonomike, tregtare, kulturore të R. së Kosovës.

Ndodhet në jugun e Rrafshit të Dukagjinit, rrëzë Malit të Sharrit dhe në brigjet e Lumbardhit të Prizerenit, ku gërshetohen rrugët që lidhin republikat e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rrugët për Gjakovë e Pejë, nga njëra anë dhe Brezovicë e Ferizaj, nga ana tjetër.

Lidhet përmes Rrugës së Kombit me dy kryeqytetet tona, Tiranën (184 km) dhe Prishtinën (85 km). Kishte edhe hekurudhën, që vinte nga Fushë-Kosova, por tash nuk funksionon. Në antikë nëpër Prizeren kalonte rruga e vjetër ilire “Via de Zenta”, që lidhte Lezhën me Nishin dhe stacion të dytë kishte Thermidavën.

Ndër qytetet më të vjetra antike, me emrin Theranda, Prizereni ishte i banuar me popullsi ilire – dardane. Janë disa lokalitete arkeologjike dhe tuma ilire, në mesin e të cilave dallohet vendbanimi shumështresor “Sakra”.

Në mesin e shumë gjetjeve arkeologjike, veçojmë “Vrapuesen e Prizerenit” nga shek. V, që ruhet në Muzeun e Londrës dhe “Cjapin e Bronzit”, që ruhet në Muzeun e Vrajës (Serbi). Në shek. II Prizereni është përmendur me emrin Termidava, pastaj, në shek. IV p.e.r përmendet si Procopera. Me emrin Petrzen përmendet për herë të parë në shek. V e.r. Në kohë të ndryshme e ndeshim me emra të ndryshëm, si Prizdrijana, Peneropolis, Praeserem, Prizna, Prizrenum, Presarin, Prisareno, Prizirendi, Prezren, Pruzrenin, Torzerm, Perserin, Prizrend, Prizerand, Priserand, Prizerendi, Prizereni, Prizreni. Në shek. XI ishte qytet i rëndësishëm dhe, në vitin 1019, bëhet qendër e ipeshkvisë së Perandorisë Bizantine, kurse në vitin 1204 bie nën sundimin bullgar e në vitin 1282 është pushtuar nga serbët.

Edhe gjatë sundimit osman, në periudhën e gjatë kohore nga viti 1455 e deri në vitin 1912, Prizereni ishte bërë qyteti i dytë më i madh dhe qendër e rëndësishme ekonomike, kulturore dhe diplomatike në trojet shqiptare, madje edhe qendër e sanxhakut dhe e vilajetit. Nga gjysma e shek. XIX në Prizeren janë hapur disa konsullata (e Austrisë, Rusisë, Anglisë e Italisë). Sipas një vjetari osman, Prizereni në vitin 1874 kishte rreth 44 mijë banorë, kurse Hahni ka theksuar se në shek. XIX qyteti kishte 24 lagje, 11540 shtëpi dhe 46 mijë banorë.
Gjithashtu, kishte 17 mejtepe për djem dhe nëntë mejtepe për vajza, një mejtep Ruzhdie (ushtarake), një shkollë bullgare, një shkollë katolike, 26 xhami, dy kisha ortodokse dhe një kishë katolike. Sot është qendër e komunës e 76 fshatrave dhe qendër e rajonit e disa komunave. Si komunë ka rreth 220 mijë dhe si qytet, sipas regjistrimit të vitit 2011, kishte rreth 85 mijë banorë.
Qysh në vitin 1899 në Prizeren është hapur, për pak vjet, shkolla e parë shqipe me mësues, Mati Logorecin. Sot në komunën e Prizerenit veprojnë 48 shkolla fillore, gjashtë shkolla të mesme dhe Universiteti i Prizerenit me mësim shqip, boshnjakisht dhe turqisht.

Para së gjithash, Prizereni njihet në historinë kombëtare, si kryeqytet i parë shqiptar, duke qenë qendër e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, e themeluar më 10 qershor 1878, ku kishte qendrën edhe Këshilli i Përgjithshëm (Kuvendi) dhe Komiteti Kombëtar (Qeveria) i Lidhjes Shqiptare (1881). Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me ikjen e gjermanëve, nga 17 nëntor 1944 deri në vitin 1947, Prizereni ishte kryeqendër e Kosovës apo kryeqendër e “Qarkut Autonom të Kosovë – Metohisë.

Pos si kryeqytet historik, Prizereni njihet edhe si “kryeqyteti kulturor” dhe “kryeqytet turistik” i Kosovës. Veçojmë festivalin e këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizerenit” dhe festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DOKUFest”. Nga sporti veçojmë lëshimin e parashutistëve nga maja e Cvilenit në lartësi 1300 metra, pastaj çiklizmin, ecjen nëpër male etj.

Prizereni ka shumësi vlerash të trashëguara kulturore; 24 lokalitete arkeologjike, 74 objekte të mbrojtura arkitekturore, 85 objekte kulti etj. Veçohet kompleksi muzeor i Lidhjes Shqiptare, pastaj Kalaja ilire, Ura e Gurit, Hamami, Shadërvani, lagjja Nënkala, kompleksi turistik Marashi, Muzeu Arkeologjik, Kulla e Sahatit, rrugët me kalldrëm, shtëpitë tradicionale etj. Pjesa e vjetër e qytetit është e stilit oriental, kurse mbi qytet ndodhet kalaja e njohur e Prizerenit. Ky qytet njihet edhe për punimet zejtare, sidomos për punimet e metaleve fisnike. Para disa dekadave Prizereni është shpallë “Qytet-muze” kurse tash njihet si një muze nën qiellin e hapur.

Pika kryesore apo simboli i qytetit të Prizerenit është Kalaja ilire, e quajtur në antikë Ilion. Kalaja është ndërtuar në shek. VI nga perandori Justinian I, e rindërtuar në shek. XIII nga Bizantinët. Kalaja, e ngritur në një pozitë dominuese në kodrën mbi qytet, është e pasur me vlera mjedisore, shkencore, arkitektonike, historike e turistike, që u shërbeu të gjithë sundimtarëve; romakëve, bizantinëve, sllavëve, osmanëve… Ka funksionuar deri në vitin 1915, kur është shkatërruar nga pushtuesit bullgarë gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa monument kulture është shpallur në vitin 1948.

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare është monument muzeor i trashëgimisë kulturore që shtrihet në qendër të qytetit e që ka vlera të mëdha kulturore e historike. Në kuadër të kompleksit ndodhen shtëpia – muze e Lidhjes, muzeu, biblioteka, salla për lexim, galeria e arteve, medreseja, xhamia dhe tyrbja. Siç dihet këtu, më 10 qershor 1878, është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare me përfaqësues nga të katër vilajetet e atëhershme shqiptare.

Në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare Abdyl Frashëri ka thënë: “Qëllimi i Kuvendit është t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Ndryshe, Lidhja Shqiptare ishte organizata e parë politike dhe ushtarake e kombit shqiptar.

Gjatë luftës, më 27 mars 1999, forcat serbe e kanë djegur në tërësi ndërtesën e Lidhjes, ndërsa është rindërtuar në vitin 2000. Me djegien e ndërtesës së Lidhjes janë djegur rreth 200 dokumente historike dhe shumë eksponate të muzeut.

Monumenti tjetër i rëndësishëm, që ndodhet në qendër të qytetit, është Ura e Gurit mbi lumin Lumbardh, e vjetër rreth 500 vjet, kurse Xhamia e Sinan Pashës, në sheshin e Shadërvanit, vjen nga viti 1615. Prizereni njihet për numrin e madh të xhamive, rreth 50 xhami vetëm në qytet. Është edhe Bazilika bizantine, e ndërtuar në shek. VIII, si dhe Shadërvani, i shek. XIX me katër çezma, i ndodhur në qendër, gjithashtu njëri ndër simbolet e qytetit.

Qyteti i lashtë i Prizerenit është një qytet i magjishëm, që ka vlera natyrore, historike e kulturore, është vendi ku gërshetohen kulturat dhe qytetërimet e ndryshme, ku bukuritë natyrore lidhen me traditat, historinë dhe kulturën shqiptare. Nuk thuhet kot që çdo gur në Prizeren e ka historinë e vet.

Prizereni është qytet i veçantë; “qytet i Lidhjes”, “qytet i kulturës”, “qyteti muze”, “qyteti i zambakëve”, “qyteti i minareve”, është qytet i përshkuar mes për mes nga Lumbardhi, që ka kalanë madhështore dhe dhjetëra xhami e kisha, si dhe urat e vjetra e monumente tjera natyrore e kulturore, të cilat Prizerenin e bëjnë ndër qytetet turistike më të vizituara, me kushte e mundësi të mëtejshme për zhvillimin e turizmit dhe për zhvillimin e tërësishëm ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Maurichio Pochettino tashmë ka marrë vendimin e parë të madh,…