Procedohet në Kuvend Projektligji për pensionet e policëve

29 nëntor 2022 | 11:44

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka shqyrtuar Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) me autorizim policor, nismë kjo e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe i njëjti është proceduar për në seancë.

Por, nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje është thënë se nuk do ta votojnë këtë nismë meqë sipas tyre është qeveria ajo që do ta sjell Projektligjin për pensionim te parakohshëm.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Policia e Kosovës ka nevojë për një ligj të tillë.

“Vërtet Policia e Kosovës ka nevojë për të pasur një ligj të tillë. Me këtë projektligj propozohet rregullimi ligjor i kohës të së drejtës në pension. Do të rregullohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve”, ka thënë ajo.

Në këtë projektligj janë propozuar 4 lloje të pensioneve, i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.

“Po rrezikohemi të jemi policia më e vjetër në rajon. Ne kemi ardhur në përfundim që është nevoja të marrim këtë iniciativë, t’i propozojmë Kuvendit nxjerrjen e këtij ligji. Pres që në mes të dy leximeve të jepen rekomandime që ky projektligj të përfundojë si ligj dhe të jetë i aplikueshëm”, ka thënë Musliu.

Ndërsa deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrim pjesë në votimin e kësaj nisme meqë sipas tyre është joserioze.

“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur që të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale me çka do të hapej rruga edhe qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”.

“Që dy herë radhazi është rrëzuar një marrëveshje ndërkombëtare, PDK-ja dhe LDK-ja e rrëzuan. Ajo marrëveshje do të vijë prapë në Kuvend dhe thërras kolegët deputetë ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe pastaj të punojmë të gjithë së bashku, por kjo ka një rend, qeveria bën planifikimet dhe ajo të na sjell Ligjin për pensionim për Policinë e Kosovës, por edhe ligjin që rregullon njëherë e mirë skemat pensionale”, ka thënë Dugolli.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe të përkrahin këtë nismë.

“Nganjëherë kolegu Enver nuk e di çfarë flet, ia fut kot. Deputeti nuk vjen këtu të bëjë lojëra, por të propozojë ligje”, ka thënë Qalaj, të cilit i është kundërpërgjigjur Dugolli.

“E di çfarë po flas, nëse nuk do me kuptuar është tjetër çështje. Nuk themi që jemi kundër ligjit për pension të parakohshëm të Policisë së Kosovës. Ka qenë premtim i yni dhe kjo do të bëhet”, ka thënë Dugolli.

Më tutje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka thënë se iniciativa e deputetëve të PDK-së është e qëlluar, por që do të presin që një projektligj i tillë të vjen në Kuvend nga qeveria.

“Mos na shihni neve këtu si pjesë e pushtetit dhe të thoni se jemi kundër. Ne jemi për këtë ligj, por presim që ky ligj të na vjen nga qeveria, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme. Por fillimisht duhet rregulluar Ligji për paga dhe për shërbyes civilë. Kur të vjen nga qeveria vjen me një tabelë që mund te realizohet. Ne mund ta votojmë këtu por sa mund të jetë e zbatueshme në teren. Ju përgëzoj për iniciativën por pres qe ky ligj të na vjen nga qeveria”, ka thënë Selimi.

Kurse deputeti Fatmir Humolli nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është mirë që komisioni të jetë në funksion të detyrës se tij.

Në komision është thënë se ky projektligj është dërguar në qeveri dhe është pritur 30 ditë, por nuk ka pasur ndonjë mendim.

“Në momentin që autoritetet e qeverisë e sigurojnë që mund të prodhojnë një projektligj që për një presje është më i mirë se ky, do e keni përkrahjen time”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me sukses ka përfunduar…