Procesi i Berlinit, mundësi për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor

16 dhjetor 2019 | 11:22

Nga Avdullah Hoti

1. Rëndësia e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor

Procesi i Berlinit për herë të parë i uli liderët e Ballkanit Perëndimor së bashku, duke i trajtuar të barabartë. Kjo krijoi një dinamikë të re në bashkëpunimin rajonal, me të vetmin qëllim që këto vende të përgatiten për tu anëtarësuar në Bashkimit Evropian. Secili samit vjetor ka vënë theksin në disa çështje të caktuara, por komponenti më i rëndësishëm është “Agjenda e Konektivitetit” në transport dhe energji, që më vonë u zgjerua edhe në rini dhe ekonomi. Gjermania përcaktoi bazën për të drejtat themelore. Pastaj, Austria u fokusua në mosmarrëveshjet bilaterale, emigracionin dhe në shoqërinë civile. Franca u mor me trajnimet profesionale dhe shkëmbimin e të rinjve. Italia u koncentrua në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

2. Përfitimet që ka Kosova në këtë proces

Ky proces po i mundëson Kosovës të ketë përfaqësim të barabartë në samite, si dhe pjesëmarrje në projekte si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimorë. Në Berlin, Vjenë dhe Paris, Kosova u paraqit me fusnotë, por jo në Trieste, që hapë rrugën për tu kthyer në praktikë. Kosova iu bashkua Rrjetit Trans Evropian të Transportit (TEN-T). Kosova është nënshkruese e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i kësaj zyre është nga Kosova. Nëpërmjet Procesit të Berlinit, Kosova i përmbush disa nga detyrimet që burojnë nga MSA-ja, në veçanti sa i përket fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Megjithatë, mosmarrëveshjet bilaterale me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën po vazhdojnë të pengojnë përfitimet që mund të ketë Kosova.

3. Sfidat e Kosovës gjatë këtij procesi

(i) Sfidat e brendshme: Paqëndrueshmëria e brendshme politike në Kosovë, në veçanti për shkak të zgjedhjeve të shpeshta, e ka shmangur fokusin e institucioneve nga agjenda e integrimin evropian, përfshirë edhe Procesin e Berlinit. Institucionet e dobëta politikisht në dy vitet e fundit kanë rezultuar me planifikim dhe koordinim të dobët të politikave euro-integruese. Procesi i Berlinit duhet të shihet përtej projekteve infrastrukturore, pasi ky proces përfshin një gamë të gjerë çështjesh që janë pjesë integrale e Procesit të Berlinit, si mosmarrëveshjet dypalëshe, reformat politike dhe demokratizimi. Kosovës i duhet strategji nacionale dhe konsensus i gjerë për këtë proces për të maksimizuar përfitimet, si ekonomike ashtu edhe ato politike.

(ii) Sfidat e bashkëpunimit rajonal: Kosova përballet me sfida në çdo bashkëpunim rajonal, përfshirë bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Berlinit. Bashkëpunimi rajonal zakonisht i fsheh mosmarrëveshjet bilaterale, dhe Kosova vuan më së shumti për shkak të mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Këto mosmarrëveshje ngritin dyshime në suksesin e gjithë procesit. Me gjasë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, Kosova është i vetmi shtet që është pjesë e Procesit të Berlinit, por pa asnjë seli të organizatave rajonale. Partneriteti në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë po bën që Serbia të shmang zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën. Kosova nuk duhet të vihet nën hijen e marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Serbisë.

(iii) Sfidat për shkak të dinamikave të brendshme të BE-së: BE-ja po kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të punojnë së bashku në zgjidhjen e çështjeve rajonale, posaçërisht normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ky lloj normalizimi tejkalon Ballkanin Perëndimor, pasi duhet normalizuar bashkëpunimin e Kosovës me disa nga vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovës, dy prej të cilave janë vende ballkanike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
LULZIM SAHITI Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike…