Prodhon sisteme mbrojtëse për Ukrainën, shpërthen në flakë fabrika e armëve në Berlin

03 maj 2024 | 20:12

Fabrika gjermane e prodhimit të armëve Diehl, e cila prodhon armë për furnizimin e trupave ukrainase në front, është përfshirë nga flakët pasditen e së premtes.

Diehl Metall i përket grupit gjerman të kompanive Diehl, dhe filiali i “Diehl Defense” gjithashtu ka selinë e saj në të njëjtën rrugë. Kompania gjithashtu zhvillon sistemin e mbrojtjes ajrore IRIS-T, i cili aktualisht është në shërbim në Ukrainë.

Diehl prodhon veçanërisht sistemin e mbrojtjes kundërajrore IRIS-T SLM, e cilësuar si zemra e të menduarit strategjik të vendeve të NATO-s në Evropë, dhe të cilin Gjermania ia dorëzon ushtrisë ukrainase për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse. Gjermania deri më tani ka pajisur Kievin me 12 sisteme raketash tokë-ajër IRIS-T SLM dhe 22 raketahedhës. Dërgesat kanë nisur që nga tetori 2022.

Zjarri në fabrikën e gjigandit gjerman ka rënë rreth orës 10:30 në katin e parë të kompanisë së përpunimit të metaleve, e cila prodhon pjesë për industrinë e automobilave, ndër të tjera. Flakët arritën shpejt në papafingo. Për shkak të kimikateve, zjarrfikësit mund ta shuajnë zjarrin vetëm nga jashtë, ndërsa zona u evakuua dhe punonjësit mundën të largoheshin me shpejtësi pa u lënduar.

Rreth 220 zjarrfikës kanë ndërhyrë për të shuar flakët, por zëdhënës i departamentit të zjarrit në Berlin, Adrian Wenzel, nga vendngjarja tha për gazetën gjermane BILD se “ndërtesa është djegur plotësisht në katër katet e saj”.

“Një pjesë e ndërtesës tashmë është shembur. Ne po ndërhyjmë vetëm nga jashtë. Zjarri nuk mund të vihet më nën kontroll nga brenda. Mund të konfirmojmë se në ndërtesë digjen edhe kimikate. Aty ruheshin acidi sulfurik dhe cianidi i bakrit. Ekziston rreziku që cianidi i hidrogjenit të formohet dhe të ngrihet në ajër bashkë me tymin.”

Në detyrë është edhe zjarrfikësja e aeroportit BER, automjetet e së cilës kanë topa sprejues veçanërisht të fuqishëm, por pavarësisht masave edhe 7 orë e gjysmë pas shpërthimit të flakëve, zjarri ende nuk është vendosur nën kontroll.

Ndërkohë, policia në një njoftim me altoparlant në vendngjarje paralajmëroi për përhapjen e tymrave toksikë.

“Vëmendje, vëmendje, një mesazh i rëndësishëm nga policia për popullatën vijon. Ka tym helmues në ajër për shkak të zjarrit. Largohuni menjëherë nga rruga. Mbyllni të gjitha dritaret. Fikni kondicionerët.”

Shteti i Berlinit ka dalë me një njoftim zyrtar për rrezikun duke i këshilluar njerëzit të shmangin zonën. Nxënësit dhe mësuesit nga shkollat përreth u dërguan në shtëpi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Në nderim të nënave që presin të zhdukurit e luftës)…