Prodhuesit vendorë dyfishojnë çmimet pas bojkotimit të prodhimeve serbe

29 janar 2023 | 10:08

Ka disa javë që ka nisur një fushatë për të bojkotuar prodhimet serbe. Fushata mori hov të madh, sidomos pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës, ku për tre javë rresht shumë rrugë që të dërgonin në pikën kufitare në Jarinjë dhe Bernjakë u barrikaduan.

Iniciativa pati sukses. Raftet me prodhime të Serbisë mbetën plotë, ndërsa raftet me produktet vendore u zbrazën.

Megjithatë, sa nisi efekti i bojkotit të produkteve serbe dhe  kthimi i blerësve tek produktet vendore, kompanitë vendor menjëherë nisën keqpërdorimin, duke ngritur çmimet në secilin produkt, ndryshe nga produktet e Serbisë të cilat filluan uljen e çmimeve, me qëllimin që të vazhdojnë të jenë në pjesë e tregut të Kosovës, raporton arbresh.info.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se duhet të bëhet kujdes me çmime, nëse duan ta përfitojnë konsumatorin.

Sipas tij, shtrenjtimi i produkteve vendore mund të vije si shkak i shtrenjtimit të lëndës së parë, që shumica e prodhuesve vendor e marrin nga Serbia.

“Në ekonomi kur oferta është më e madhe se kërkesa vjen deri tek ulja e çmimit e në të kundërtën vjen deri te rritja e çmimeve, dhe kjo po duket në këtë rast ku disa produkte kanë filluar të lëvizin me çmime ku varen edhe nga importi i lëndës së parë e me këtë rast edhe nga importi i lëndës së parë nga Serbia. Në anën tjetër janë produktet e Serbisë, të cilat kanë filluar uljen e çmimeve që me çdo kusht të jenë në tregun e Kosovës. Prodhuesit duhet të kenë një vëmendje të shtuar që nëse duanë ta përfitojnë konsumatorin duan të përfitojnë me këto kushte”, thotë Shahini.

Kaçaniku: As kjo Qeveri s’ka ndërmarrë asgjë për ta përmirësuar gabimin e mëparshëm

Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku pohon se në disa produkte themelore ushqimore të shportës u pat hequr TVSH, mirëpo, sipas tij, kjo ulje u keqpërdor nga prodhuesit, tregtuesit e shërbyesit.

“Qeveria ka filluar të merret me veprime jo të mira, jo ekonomike, jo juridike, jo kushtetuese dhe të ndërhyj në çmime, ekonomi, të ndërhyj në biznese dhe tash e ka humbur energjinë. As kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asgjë për të përmirësuar gabimin që e kanë bërë më përpara. Në disa produkte themelore ushqimore  të shportës e pat hequr TVSH-në prej 8% dhe te disa e pati ulur nga 16 në 8%, ndërsa kjo TVSH nuk doli në gjepin e qytetarëve të Kosovës d.m.th këto ulje mbetën ose u keqpërdorën nga prodhuesit, tregtuesit e shërbyesit”, shprehet Kaçaniku

Pra, sipas tij,  me animin ose sponsorizimin e Qeverisë u zhvatën qytetarët konsumatorë dhe familjet kosovare, duke dëshmuar se janë të pambrojtur.

Kadriu: Qeveria nuk e ka kryer punën e vet përmes inspektorëve

Njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Kadriu thekson se rasti i produkteve “Made in Serbia” ka mbipopulluar tregun si rezultat i çmimeve të ulëta. Sipas tij, një gjë të tillë duhet ta kenë të qartë edhe prodhuesit vendorë.

“Në ekonominë e tregut dihet që në momentin që i jepet hapësira produkteve tjera p.sh që ka qenë rasti i produkteve “Made in Serbia”, si rezultat i çmimeve të ulëta e kanë mbipopulluar tregun. Pra, këtë duhet ta kenë të qartë edhe prodhuesit vendorë, por edhe Qeveria ta kryejë punën e vet përmes inspektorëve që së paku të jep vërejtje dhe nëse e sheh të arsyeshme edhe të gjobiten, sepse nuk është e drejtë”, shprehet ai.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar pati edhe protesta nga studentët e Universitetit “Hasan Prishtina”, me qëllim të rritjes së mbështetjes për bojkotimin e produkteve serbe.

Ndërsa, ditë më parë Instituti “GAP” ka publikuar një raport ku ka treguar se çka u importua dhe çka u eksportua më së shumti nga Serbia gjatë vitit 2022. /arbresh.info/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ilir Shaqiri ka sqaruar këtë të shtunë në “S’e Luan…