Profesori malazez: Njohja e Kosovës është e pakthyeshme, qeveria e Abazoviq të reagojë për rastin e Zetës

05 maj 2023 | 16:52

Deklaratën e miratuar kohëve të fundit nga Komuna e Zetës e udhëhequr nga Fronti-Demokratik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi, e ka komentuar edhe profesori malazez i së drejtës ndërkombëtare, Nebojsha Vuçiniq, i cili e ka parë si shqetësuese mosreagimin e qeverisë malazeze që udhëhiqet nga Dritan Abazoviq.

“Qartazi një qeveri e përgjegjshme duhet të reagojë ndaj kësaj, sepse nuk përjashtohet që ndonjë komunë tjetër mund të miratojë një deklaratë të ngjashme”, i ka thënë ai “Radios Evropa e Lirë”, siç ka cituar “Gradski Tv”.

Vuçiniqi ka thënë se vendimi për njohjen e Kosovës në vitin 2008 “është i pakthyeshëm” dhe se “asnjë vendim tjetër nuk mund ta sfidojë”.

“As Zeta dhe asnjë qeveri në botë, nëse e anulojnë vendimin për njohjen e Kosovës, nuk ka asnjë efekt. Sepse njohja e shtetit është e parevokueshme dhe prapavepruese. Revokimi nuk ka asnjë rëndësi juridike, mund të ketë vetëm një rëndësi populiste”, ka thënë Vuçiniq.

Por, ai ka edhe një shpjegim se pse rrodhi një deklaratë e tillë, dhe vlerëson se ajo ka për qëllim arritjen e një objektivi politik.

“I gjithë sistemi juridik dhe politik është në funksion të realizimit të asaj që në mënyrë pezhorative quhet ‘bota serbe’. Çdo gjë është në varësi të kësaj. Të gjitha mjetet janë të lejuara për të arritur qëllimin. Një nga mjetet është revokimi i njohjes së Kosovës”, ka thënë Vuçiniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës e ka përmbyllur procesin e…