Projektbuxheti i vitit 2022, Murati: Ekonomia është rimëkëmbur nga pandemia

25 nëntor 2021 | 13:30

Në Kuvendin e Kosovës është duke u bërë shqyrtimi në lexim të parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin për vitin 2022.

Ministri i Financave, Hekuran Murati duke paraqitur këtë projektligji para deputetëve, ka thënë  se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar një rritje me rreth 10 për qind.

“Sa i përket Projektligjit të buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 për qind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse te të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 për qind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti”.

“Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu, kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, ka thënë Murati.

Sipas tij, rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore, pra me rreth 10 për qind në terma real, ndërsa 12.2 për qind në terma nominal”, ka deklaruar Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamilton, 7 herë kampion bote në Formula 1, po…