Projektligji për zyrtarët publikë, pozita dhe opozita me qëndrime të ndryshme

09 dhjetor 2022 | 15:20

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për zyrtarët publikë.

Ai ka thënë se ky projektligj  mundëson reformimin e administratës publike dhe krijon mundësi për gjithpërfshirje.

“Ky projektligj është rezultat i kërkesave të kohës, po bëhet për të adresuar nevojat e administratës, është kompletuar bashkë me palët e interesit por gjatë të të gjitha fazave dhe është sjell këtu në kuvend si produkt i përbashkët institucional që krijon zgjidhje për stagnimin që e ka sjell administrata ndër vite”.

“Është me rëndësi që secili prej nesh përgjatë trajtimit të këtij projektligji të kemi në mendje që një gjë, rekrutimet e mbyllura dhe lëvizja paralele peng i së cilës ka qenë administrata deri tani nuk kanë lejuar që zyrtarët realisht të kenë mundësi të avancohen në karrierën e tyre profesionale dhe të synojnë pozita menaxheriale”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se përmes këtij projektligji do të bëhet depolitizimi i administratës shtetërore.

Kundër Projektligjit për zyrtarët publikë janë deklaruar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se është shqetësuese tentimi i qeverisë Kurti për ta politizuar administratën publike.

“Me këtë projektligj kjo parti edhe praktikisht dëshiron ta kap administratën publike, edhe pse ajo ka kritikuar partitë tjera pikërisht për këtë gjë”, ka thënë Lushtaku.

Edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Projektligji për zyrtarët publikë është një tentim për ta degraduar administratën shtetërore dhe atë komunale.

“Bëhen shkelje në shumë nene. Me dispozitat që përmban ky projektligj, cenohet e drejta e punësimit si një e drejtë themelore. Një e drejtë e tillë mund t’i merret dikujt me procedura të caktuara ligjore nëse plotësohen disa kushte”, ka thënë ai.

Veliu ka thënë me këtë projektligj, pas 18 muajve komunave do t’iu hiqet e drejta për të punësuar stafin e tyre.

Po ashtu edhe Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së ka shprehur qëndrimin kundër këtij projektligj.

“Ky projektligj nuk i bënë nder qeverisë e as Kuvendit, dhe mbi të gjitha dëmton administratën publike”.

Tahiri thotë se reformimi i administratës publike është proces shumë i mundimshëm pasi trajton njerëzit dhe pozicionet e tyre.

“Me këtë ligj karriera e zyrtarëve të administratës varet nga partia në pushtet dhe ministrat”, ka thënë Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori shqiptar i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka ka reaguar…