Prokurori Elez Blakaj u shkruan kolegëve, tregon arsyet e dorëheqjes

16 gusht 2018 | 15:15

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, , Elez Blakaj u ka dërguar ish-kolegëve të tij të prokurorisë një letër lamtumire me të cilën i ka falënderuar për bashkëpunimin dhe i ka njoftuar për të ardhmen e tij.

Blakaj, në këtë letër të cilën e ka siguruar “Insajderi” nuk ka përmendur kurrfarë kërcënimi dhe presioni, por ka treguar se tash e tutje karrierën e tij do ta vazhdojë kryesisht janë vendit. Në këtë letër me të cilën i është drejtuar në veçanti kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka treguar se më 11 korrik të këtij viti ka dorëzuar aktakuzën në rastin e veteranëve.

Blakaj, në këtë letër ka lënë të kuptohet se arsyet e dorëheqjes së tij kanë  të bëjnë me të ardhmen e tij, e jo me ndonjë kërcënim për jetën e tij dhe të familjes.

“I nderuar kryeprokuror Millaku, ju njoftoj se që nga data 13. 08. 2018  nuk do të jem pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilin fakt ju kam paralajmëruar para 5 javësh”, ka shkruar në hyrje të letrës në të cilën saktësohet se qysh para pesë javësh e kishte paralajmëruar largimin nga Prokuroria.

Blakaj, si prokuror special është zotuar se angazhimin e tij do ta vazhdojë në interes të vendit dhe drejtësisë.

“Të nderuar kolegë dhe kryeprokuror, për mua ka qenë një nderë i jashtëzakonshëm të ushtroj detyrën e prokurorit të shtetit dhe të jem pjesë e institucionit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës – Prokurorit të Shtetit, në veçanti këto vitet e fundit si pjesë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pavarësisht sfidave të shumta”, ka shkruar Blakaj.

“Tani e tutje aktivitetin tim profesional do ta vazhdoj jashtë sistemit prokurorial, brenda dhe jashtë vendit, gjithmonë në interes të parimeve themelore për një sistem të drejtësisë me integritet”, ka vazhduar letra e Blakajt.

Ai ka falënderuar kolegët për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, në veçanti për rastin e veteranëve.

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë kolegët me të cilët kemi bashkëpunuar gjatë tërë këtyre viteve, duke vlerësuar lartë ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë. Se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi, në veçanti vlen të ceket bashkëpunimi dhe ndihma e palodhshme e disa prej kolegëve në 10 muajt e fundit, në njërin nga rastet më voluminoze dhe komplekse i quajtur si ‘Rasti i Veteranëve’, për të cilin rast nga 11 korriku 2018, aktakuzën ia kam përcjell Kryeprokurorit Millaku”, ka shkruar Blakaj.

“Duke uruar që institucionet si Këshilli Prokurorial i Republikës së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit të kenë sukses në misionin e tyre, ju uroj shëndet dhe suksese në punë! Ju përshëndes dhe shumë shpejtë do shihemi!”, ka përfunduar Blakaj.

Blakaj, tashmë i larguar nga Prokuroria ende nuk ka dhënë përgjigje për publikun për arsyet e vërteta të dorëheqjes.

Në letrën drejtuar kolegëve nuk tregon ndonjë kërcënim apo presion, pos faktit që karrierën do ta vazhdojë jashtë vendit dhe sistemit prokurorial, duke përmendur edhe largimin nga Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bullgaria ka vendosur të rinovojë më shumë se 200 ura,…