Prokuroria: Dosja e Lumezit për provimin e jurisprudencës nuk është falsifikuar

14 nëntor 2017 | 23:00

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, se dosja e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është e falsifikuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thuhet se hetimet e këtij rasti e janë bërë nga një prokuror vendor nën monitorimin e vazhdueshëm të një prokurori të EULEX-it.

“Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e z. Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

“Dosja e Lumezit për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi”, thuhet tutje në komunikatë.

Aty sqarohet se “Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës”.

Sipas komunikatës, në bazë të provave të grumbulluara dhe gjetjeve të hetimit, Prokuroria Themelore ka konstatuar se jo vetëm pretendimet e ngritura fillimisht nga z. Hasani, por më vonë edhe nga disa media, janë tërësisht të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pambështetura në asnjë provë relevante.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës…