Prokuroria jep detaje për vrasjen e imamit në Zlipotok, i dyshuari dhe babai i tij ndalohen për 48 orë

30 qershor 2026 | 13:06

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me rastin e vrasjes së rëndë që ka ndodhur në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit, ku viktimë mbeti imami i fshatit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Policia e Kosovës është njoftuar për rastin më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15.

“Viktima, i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Prokuroria bën të ditur se menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila së bashku me hetuesit policorë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.H., pas kryerjes së veprës, ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

“I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar”, thuhet në komunikatë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, B.H. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, ndërsa për 48 orë është ndaluar edhe babai i tij, i dyshuar për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”.

Prokuroria njofton se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet më tej në njoftim.

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një i burgosur ka shfrytëzuar lirinë e vikendit për tu…