Prokuroria kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj Molliqajt dhe Megjuanit

02 shkurt 2022 | 15:39

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ulaj.

Ndryshe, Molliqaj dhe Megjuani gjenden nën masën e ndalimit prej 48-orësh, pasi të njëjtit janë arrestuar të martën.

Në njoftimin e policisë është thënë se i dyshuari Megjuani është arrestuar nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e 29 janarit 2022. Ndërsa sa i përket Molliqajt, policia ka njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar në protestën e  29 janarit 2022.

Po ashtu, sipas policisë, Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit dhe policia nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se serbët e…