Prokurorja James: Do t’i sekuestrojmë pronat e Trumpit nëse ai nuk e paguan gjobën

23 shkurt 2024 | 08:25

Donald Trump mund të rrezikojë të humbasë disa prej pronave të tij të çmuara nëse nuk mundet të paguajë gjobën në Nju Jork.

Gjoba e tij prej afro 454 milionë dollarësh, që iu dha nga një gjykatë shtetërore në Nju Jork për fryrjen e vlerave të pasurive të tij në aplikimet për kredi, për shkak të normës së interesit do të rritet me 87,502 dollarë në ditë derisa ai ta ketë paguar.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James i tha kanalit “ABC News” të martën se ajo do të kërkojë konfiskimin e disa prej pronave të ish-presidentit nëse ai nuk është në gjendje të paguajë gjobën e vendosur nga gjykatësi Arthur Engoron më 16 shkurt.

Gjykatësi Engoron arriti në përfundimin se ish-Presidenti Trump gënjeu për vite me radhë për pasurinë e tij, ndërsa ndërtoi perandorinë e pasurive të paluajtshme që e bëri të famshëm dhe e ndihmoi të arrinte deri në Shtëpinë e Bardhë.

Trump ka mohuar akuzat për shkelje dhe është zotuar se do të apelojë vendimin e gjykatës.

“Nëse ai nuk ka fonde për të paguar gjobën, atëherë për zbatimin e vendimit të gjykatës do t’i kërkojmë gjyqtarit që të sekuestrojë pasuritë e tij”, tha prokurorja demokrate Letitia James në një intervistë me gazetarin e kanalit “ABC”, Aaron Katersky.

Mundësitë e Trump për të paguar tarifat e tij ligjore në rritje po vështirësohen nga humbjet e njëpasnjëshme të gjyqeve. Në janar, një juri e urdhëroi atë të paguante 83.3 milionë dollarë për shpifje ndaj shkrimtares E. Jean Carroll.

Trump pretendoi vitin e kaluar se ai ka rreth 400 milionë dollarë para të gatshme, rezerva që do të shpenzoheshin për proceset gjyqësore ndaj tij. Pjesa tjetër e pasurisë së tij, që ai thotë se ka një vlerë prej disa miliarda dollarësh, është e lidhur me fushat e golfit, ndërtesat shumëkatëshe dhe prona të tjera, si dhe investimet.

Por prokurorja James nuk do të mund të fillojë menjëherë përpjekjet për të marrë çelësat e ndërtesës “Trump Tower” në Nju Jork apo pronës së tij Mar-a-Lago në Florida. Apelimi, që Trump ka premtuar se do të bëjë për vendimin që i dha atij gjobën prej gati 454 milionë dollarësh, ka të ngjarë të pezullojë pagesën e gjobës ndërsa procesi i apelimit vazhdon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britania ka zgjeruar sanksionet e saj kundër kompanive ruse, individëve…