Prokurorja Pula me apel për qytetarët: Mos e fotografoni votën, automatikisht ndalohen

07 qershor 2026 | 13:15

Koordinatorja rajonale për zgjedhje, Laura Pula, ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e fotografojnë votën.

Ajo ka bërë me dije se nëse e bëjnë një veprim të tillë ata do të ndalohen nga policia.

“I kemi 11 vepra penale kundër të drejtës së votimit. Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve është kur dikush e detyron dikë të votojë kundër dëshirës së vet qoftë në varësi ekonomike, qoftë në kërcënim apo kanosje. Cenimi i fshehtësisë së votimit, ne të gjithë e dimë që vota është e fshehtë, prandaj bëj apel të gjithë qytetarëve që kur të shkojnë te kutitë e votimit të mos i fotografojnë votat, pasi automatikisht do të ndalohen”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se Zyra e Prokurorit të Shtetit po bën punën institucionale për të mbrojtur votën e qytetarëve në terren.

“Kemi një rast në Mamushë ku dy votues kanë tentuar të votojnë bashkërisht që nuk është lejuar, një rast tjetër në Gllogoc një votues ka kryer veprën penale të asgjësimit të dokumenteve të votimit i cili tashmë është ndaluar për 48 orë”, është shprehur ajo.

Sipas saj, puna e prokurorit është “mbrojtja e votës së sovranit”.

“Ashtu si në zgjedhjet e kaluara gjithmonë roli i prokurorit është mbrojtja e votës së sovranit aty ku ka elemente që mund të cenohet, ne nuk do të hezitojmë do të ndalojmë çdo person në momentin që kemi elemente të mjaftueshme që përmbushen elemente të ndonjë vepre penale”, ka thënë Pula.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka votuar në…