Promovohet libri i Arsim Bajramit ‘Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike’

22 maj 2023 | 12:52

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) ka promovuar librin e akademik Arsim Bajramit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”.

Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se qëllimi i librit është që brezat që vijnë të kenë përgjegjësi që të përcjellin kujtimet e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit serb.

Sipas saj, detyrën e nisur nga akademik Bajrami duhet quar deri në fund në mënyrë që të dëshmohet përgjegjësia e Serbisë, e të mos përsëritet e kaluara.

“Qëllim madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vijnë do të kenë përgjegjësi për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë që në mënyrë të përsëritur e ka përcjellë popullin tonë sidomos gjatë luftës së fundit duke e mbajtur shtetin serb ndërkombëtarisht përgjegjës për gjenocid për krimet”.

“Libri ka arritur që të dëshmojë dhe dokumentojë që gjenocidi nuk ndodhi pa paralajmërim dhe ky është thelbi i gjenocidit që e dallon atë nga gjenocidet e tjera. Sot detyra jonë që profesor Bajrami e nis është që të qojmë deri në fund që ta bëjmë të përgjegjshëm shtetin e Serbisë dhe kështu mund ta ndalojmë që të mos përsëritet e kaluara”, ka thënë ajo.

Ndërsa recensenti i këtij libri, profesor Jusuf Bajraktari, ka thënë se ky libër bazohet në tri qëllime. “E para të argumentojë ligjërisht se krimet e Serbisë në Kosovë plotësojnë pesë kriteret e Konventës së OKB-së, e dyta të paraqes argumente për kryerjen e krimeve gjenocidiale dhe e treta studimi synon që të tregojë të vërtetën për luftën në Kosovë”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se objektivi kryesor i këtij libri është trajtimi juridik i gjenocidit serb në Kosovë.

“Libri aspekti juridik paraqet një studim profesional dhe shkencor, i cili trajton gjenocidin në Kosovë duke analizuar krimet në Kosovë. Objekti kryesor i këtij studimi është argumentimi juridik. Krimet e Serbisë në Kosovë paraqesin kombinacionet e politikave gjenocidiale të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Bajraktari.

Në anën tjetër, profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë se libri i akademik Bajramit është i rëndësisë së veçantë në aspektin juridik-penal, historik e kushtetues si dhe në aspektin ndërkombëtar, raporton “EO”.

“Botimi është 620 faqe dhe është me rëndësi të veçantë në aspekti juridik penal, historik kushtetues dhe në aspektin thjeshtë kombëtar. Krimi i gjenocidit është krimi më i madh që mund të kryente gjatë luftës”, ka thënë ai.

Kurse autori i librit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”, akademik Arsim Bajrami, ka thënë se Serbia ka tentuar ta shkatërrojë popullin shqiptar të Kosovës.

“Në të vërtet për gjenocidin është shkruar dhe është folur mjaftë në kohën e pasluftës. Janë bërë libra të tërë historik, publicistik, por ka munguar një studim i mirëfilltë juridik sepse çështja e gjenocidit është çështje juridike dhe mu për këtë arsye unë kam marr këtë rrugë”, ka thënë Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 3 qershor do të mbahet turniri tradicional (futboll i…