Promovohet “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare”, i gazetarit Nuhi Bytyçi (foto)
Prishtinë, Gazetari Nuhi Bytyçi ka promovuar të hënën librin “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare”, në një aktivitet të mbajtur në “Kino Armata”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, personalitete akademike, profesorë dhe familjarë të personaliteteve të historisë së Kosovës. Në promovimin e librit kanë marrë pjesë edhe protagonistë të luftës së UÇK-së, përfshirë gjeneralin Kudusi Lama, Nait Hasanin, Ramë Bujën dhe Kadri Kastratin. Po ashtu, në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda dhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Në fillim të promovimit është shfaqur një dokumentar, i cili ka përmbledhur përmbajtjen e librit dhe materialet që gazetari Bytyçi ka dokumentuar ndër vite.
Profesori Astrit Salihu, duke folur për librin në cilësinë e recensentit, ka thënë se ai është një kronikë e përmbledhur e ngjarjeve që autori i ka trajtuar përmes raportimeve televizive, dokumentarëve dhe shkrimeve të publikuara.
Kurse, profesori Bajram Kosumi, në cilësinë e recensentit të “Librit të Lirisë”, ka theksuar se, pavarësisht se liria është sfondi tematik i librit, struktura e tij përfshin një mozaik të gjerë temash që nga viti 1989.
Në promovimin e “Librit të Lirisë” ka folur edhe gazetarja nga Tirana, Marina Zela, e cila ka vlerësuar rëndësinë e librit në dokumentimin e ngjarjeve dhe dëshmive që nuk kanë arritur të regjistrohen përmes fotografive apo incizimeve audio.
Ndërsa autori i librit, gazetari Nuhi Bytyçi, ka bërë me dije se ai është shkruar gjatë luftës për liri, në kohë të vështira dhe vendimtare për Kosovën, duke theksuar se në të pasqyrohen zëri dhe sakrifica e qytetarëve të Kosovës. “‘Libri i Lirisë’ është shkruar gjatë luftës për liri dhe në rrethanat e mungesës së lirisë”, ka thënë Bytyçi.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se UÇK-ja ka qenë projekti më i madh për arritjen e lirisë. “Projekti më i madh për arritjen e lirisë ka qenë UÇK-ja”, ka thënë autori Bytyçi.
“Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare” sjell një përmbledhje të materialeve publicistike, raportimeve, intervistave, dokumentarëve dhe kronikave televizive të gazetarit Nuhi Bytyçi, të cilat pasqyrojnë periudha dhe ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri. Në këtë libër është përfshirë edhe dëshmia e Nuhi Bytyçit në Gjykatën Speciale, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.




