PROVOKIMET USHTARAKE TË SERBISË DHE KTHIMI I PRESIDENTES

26 shtator 2021 | 15:16

Shkruan: Hajdin Abazi

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për targat e automjeteve, ndonëse me shumë të panjohura, tashmë është një realitet, të cilin për ta refuzuar disa serbë të instrumenatlizuar nga Beogradi po e përdorin si pretekst për të protestuar, bllokuar dy pikat kufitare dhe për të demonstruar destruktivitet, provokime dhe për të shkaktuar një gjendje gjojakonfliktuoze.

E pra, policia e Kosovës po tregohet jashtëzakonsith e përgatitur dhe profesionale duke mos rënë në asnjë provokim, dhe duke mos shkaktuar as dhe një incident të vetëm, që në raste të tilla edhe do të mund të ndodhnin.

Megjithatë, Serbia për t’i yshtur edhe më të instrumentalizuarit e saj, po bën provokime të hapura luftënxitëse. E nisi me fjalor agresiv, etiketues dhe fyes politikisht. Pastaj kaloi në veprime: dërgoi tre helikopterë luftarakë në qiellin veriror të Kosovës, lëvizi një pjesë të ushtrisë drejt kufirit tonë, demonstroi artileri luftarake si kërcënim, vendosi xhandarmërinë në afërsi të pikave doganore, snajperistët e Serbisë vëzhgojnë në mënyrë provokuese policinë e Kosovës, nisi dy aeroplanë luftarak për të cenuar hapësirat e Kosovës. Kjo u përsërit edhe një herë tjetër. Mbase do të bëjë edhe lëvizje të tjera provokuese luftënxitëse.

Kosova po bën mirë që po tregohet e matur dhe nuk po demonstron forcën në veri të vendit, por po demonstron paqeruajtjen dhe rendmbajtjen, që është veprimi më normal i secilit shtet.
Por, gjithsesi, nuk mjaftojnë vetëm këto.
Duhet një veprim dinamik i Kosovës, me të gjitha kapacitetet sidomos përmes kanaleve diplomatike, për të sensibilizuar vendet mike dhe për të përgënjeshtruar propagandën e Serbisë. Nuk duhet të ketë vonesa, sepse kush e jep informacionin më shpejt, krijon opinion.

Mu në këtë rrethanë, Presidentja ishte në vendin e pikërishëm dhe në kohën e duhur, pasi që ndodhej në New York, ku mund të kontribuonte shumë. Por, pas pesë ditë qëndrimi, me pretekst të tensioneve në veri, u tha se po kthehet në Kosovë.

Bëri gabim Presidentja.

Si nuk pati kush ta këshillonte se Presidentja më shumë mund t’i kontribuonte Kosovës nga New Yorku se sa me kthimin e saj.

Aq më tepër që mungesa e saj në Kosovë nuk është ndjerë asgjëkundi, meqë KM Kurti me qeverinë ishin në vend, dhe u vendos edhe kooperimi me partitë opozitare në interes të vendit.
Presidentja, prandaj, duhej të qëndronte në SHBA!
Në New York, përveç takimeve konfidenciale, duhej që përmes mediave amerikane e botërore, me konferenca shtypi, me intervista në televizone dhe revista prestigjioze, të sensibilizonte vendet mike e mbështetëse për rreziqet që mund të sjellin provokimet ushtarake të Serbisë.

Kjo fort do të bënte jehonë, sepse në New York, për shkak të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, janë të pranishme të gjitha shtetet e botës dhe mund të bëhej shumë diplomatikisht, me pak veprime.

Po ashtu, do të mund të koordinohej me presidentin malazez Gjukanoviq, për të treguar se veprimi i njëjtë destabilizuese i Serbisë po bëhet edhe ndaj Kosovës ashtu sikurse u bë edhe ndaj Malit të Zi.
Do të ishe një demaskim diplomatik i gjeostrategjisë agresore të Serbisë.

Pa i bërë këto, Presidenjta zgjodhi të kthehej në Kosovë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…