Provokimet

26 korrik 2021 | 11:22

Shkruan: Arben Dashevci

Para disa ditësh shtetin tonë respektivisht qytetin e Deçanit e kaploj një epidemi, e cila në formën e vet shkaktoj rrëmujë, panik dhe një brengosje të madhe tek qytetarët tanë!…

Ne nuk e dinim se nga erdhi  ky helmim. Por që numri i helmimeve arriti deri tek 1500 raste. Për më tepër, na u deshtë si gjithmonë t’i dërgojmë mostrat për analizë në shtetet që mendojnë për këto gjëra, e që janë jetike për një shtet sepse shteti jonë ende nuk ka aparatura për analiza të thella të këtij lloji.

Tek ne edhe kamerat e sigurisë ne vendburim qenë te shkyçura, tek ne edhe pusetat e ujit të pijshëm u gjetën të zbuluara, tek ne po mbizotëron një pa përgjegjësi totale, dhe kjo nuk donë koment më.

Tek ne vetëm kur të ndodhë një rrezik sikurse helmimi në Deçan, reagojmë, por pyetja është si reaguam ne?!

  1. Politika dhe politikanët reaguan me moton “të gjithë kundër të gjithëve”, sepse të gjithë vraponin për të gjetur fajtorin kush se çka bëri, por askush nuk ishte i përqendruar në ngjarje respektivisht tek populli, përpos Kryetarit të Deçanit, i cili qëndroi tërë kohën pran popullit, qytetarëve të vet,  dhe  nuk e la vetëm për asnjë qastë.

Kryetari  i Deçanit, dha një shembull konkret se si duhet t’i qëndroj popullit afër në këtë situate të rëndë që kaluan qytetarët e këtij qyteti të Republikës së Kosovës

  1. Kjo ngjarje në Deçan është KRYEKËPUT problem i sigurisë nacionale, dhe problemi i sigurisë nacionale dallon nga të gjitha problemet tjera. Shkalla e rrezikshmërisë gjithmonë  është e lartë, kërkon përkujdesje maksimale, dhe përqendrim  të plotë karshi situatës së krijuar, 101%.
  2. Siguria Nacionale është drita e syve të shtetit, duhet të konsiderohet si e tillë, ose, na mori lumi…

Por ja që përfundoj disi dhe  shkaktari qe uji. Përgjegjësit nuk dihen ende…

Filluan Provokimet

  1. Si gjithmonë reagoi dhe provokoi presidenti serb me thumbimet e tij monotone tashmë, tha që “po e analizojmë gjendjen”, dhe se dy serbë kanë qenë 500 m larg pusetave. Siç shihet ky ish ministër i propagandës së kohës e kasapit të Ballkanit –Millosheviqit, edhe këto ditë, e lëshoi në opinion një provokim të radhës. Ky provokon, do të provokoj pa u ndalur sepse e ka  profesion tek e fundit.
  2. Nga ana tjetër, ne e injoruam provokimin e presidentit serb pa u marrë fare me të, por të mbani mend që injorimi shpesh herë nuk është përgjigja më e mirë dhe SE nuk kryen punë. Ju betohem që jo. –Injorimi mund të kthehet në bumerang.
  3. Kur provokohesh si shtet, duhet të reagosh menjëherë tek institucionet relevante ndërkombëtare me notë proteste dhe mos i fal asnjë sekondë armikut. Konsideroje si armik sepse ai sillet si i tillë dhe mbetet i tillë.

Kur kemi problem të llojit të sigurisë nacionale, të gjithë, por ama të gjithë ne,  duhet të jemi  të bashkuar. Me theks të veçantë, e kam fjalën sidomos për spektrin POLITIK. -Nuk mbeti asnjë e keqe  e që nuk  i than njëri tjetrit, shkaktuan paqartësi e konfuzitet në popull, duke kërkuar fajtorin dhe akuzuar njëri –tjetrin,  ata në ato momente harruan popullin.

Si politikan, ju dhatë mendimet e juaja jo profesionale, kurse profesionistëve nuk i dhatë hapësirë të mjaftueshme, që të shprehen dhe ta thonë mendimin e tyre të pa anshëm dhe profesional…

Me panik, nuk përfitoj askush asgjë dhe më së paku populli. Pse po silleni kështu? -Vallë a nuk e dini se çka është siguria nacionale?!…Unë sinqerisht dua të shpresoj që ky të jetë një mësim për ne si shtet se si nuk duhet të sillemi në situata të tilla e delikate, por që vërtetë duhet të mësojmë si të sillemi e të veprojmë bashkë e në mirë të komunitetit!

Për dallim nga politika përçarëse, Institucionet përgjegjëse të sigurisë , këtu fjalën e kam për operativën në terren, punën e kryen në mënyrë dinjitoze, pa fjale dhe me vepra. Çdo gjë ka qenë nën kontrolle të rreptë dhe asnjë problem qoftë ai me i vogli, nuk është shfaqur.

Operativa jonë është për çdo lakmi dhe këtë fakt, kundërshtarët tanë e dinë fort mirë. Me gjuhën e popullit, edhe “ Miza e vogël” nëse kalon në hapësirën dhe territorin  tonë, ata të cilët janë përgjegjës,  e dinë.- Këtu nuk ka dyshim, sepse ata janë institucionet më kredibile jo vetëm për ne por edhe  tek ndërkombëtarët.

Kjo është për lakmi sepse u qetësuam  neve  si popull.

Por, një  gjë duhet ta kemi parasysh se ne gjithmonë do të provokohemi nga kundërshtari ynë i përjetshëm, pra nga Serbia.

Më pastaj, gjithçka varet nga ne se  si do të reagojmë, a do të injorojmë provokimin si gjithmonë apo më në fund do të fillojmë të reagojmë  seriozisht si shtet, duke mos lëshuar pe në institucionet  ndërkombëtare për të alarmuar të gjithë lidhur me  provokimet e tyre që s’ndalen kurrë.

Çka  është provokimi?

Provokimi në kuptimin e përgjithshëm do te thotë  provokim “ngucje apo ngacmim”, ndërsim, sugjerim për të kryer ndonjë vepër të rrezikshme dhe gjithmonë kundërligjore, i cili nuk do të kryhej normalisht në asnjë rast tjetër, ose jo në formën në të cilën kryhet dhe në vendin ku shkaktohet ky provokim.

Provokimi është veprim që bëhet qëllimisht për të provokuar dikë, për të nxitur njërin kundër tjetrit, për të shkaktuar grindje, për të provuar dikë a për të zbuluar synimet e vërteta të dikujt etj.

Provokimi është një lloj formë e luftës në sistemet kryesisht diktatoriale dhe reaksionare dhe disa metoda të tyre janë:

1) Angazhimi i agjentëve provokatorë, detyra  e  të cilëve është që të paraqiten si bashkëmendimtar, të futen (infiltrohen) në organizata të ndryshme dhe në grupe dhe të ndërsejnë anëtarët e tyre  për veprimet politike ose veprime terroriste, për  te cilat  komprometojnë organizatat ose shkaktojnë  çrregullim total, sepse ky është edhe qëllimi i tyre final.

2) Provokim me vendosjen e materialit propagandistik organizatave ose personave, armëve ose dokumenteve të fabrikuara programore ose të tjera, të cilat nuk i takojnë këtyre, me të vetmin qëllim ka destabilizimin dhe krijimin e pasigurisë.

3) Provokimi  në formën e atentateve në personat e njohur ose incidentet dhe provokimet ndaj përfaqësive diplomatike ndonjëherë të shtetit të caktuar e ndonjëherë  kundër shtetit të caktuar, kundër organizatës politike ose nacionale, kryhen në territorin e vendit tjetër dhe kundër  vendit tjetër, kështu që të shkaktohet konflikti, pasiguria, kriza dhe rreziqe tjera.

Për shkak të gjitha këtyre shkaqeve, provokacion e kryen armiku dhe zakonisht askush nuk e pranon se po e bën atë provokim, të provokon në mënyrë këndshme dhe për këtë akuzon palën tjetër.

Metoda e provokimit: është e kundërta me elementet dhe principet demokratike të politikës se brendshme, regjimet e skajshme reakcionare, dhe forcat e verbuara në mënyrë dogmatike e përdorin si mjet të politikës se jashtme. Provokacioni ishte “mjet politik’’ i rregullt i fashizmit  dhe regjimeve autokratike.

Lufta Psikologjike: Është tersi e masave të organizuara dhe veprimeve të cilat një shtet ose shumë sosh ndërmarrin  ndaj popullatës së një shteti tjetër, në mënyrë që të ndikohet në vetëdijen, mendimin, sjelljet, botëkuptimet dhe ndjenjat e njerëzve në luftë dhe në paqe dhe me këtë të kontribuojnë gjegjësisht lehtësojnë jetësimin e qëllimeve të veta politike, ushtarake e të tjera.

Në thelb, kjo është shfrytëzimin i planifikuar i propagandës me të cilën dëshirohet te rrënohet stabiliteti i brendshëm dhe kohezioni e vendit ndaj të cilit ekzistojnë qëllime të caktuara. Krahas mjeteve informative propagandistike, me luftën psikologjike nënkuptohet edhe njoftimet nga fushat e tjera të veprimtarisë, shkencës , teknikës, argëtimit, sportit etj.

Lufta psikologjike jo e rrallë ka shenja të ndërhyrjes së vrazhdë në politikën e brendshme te vendeve tjera me anë të mashtrimeve, dezinformatave, spiunazhit, presioneve ekonomike, shkaktimin dhe nxitjen  demonstrative, etj.

Vlerësimi i situatës së sigurisë: Është analiza e faktorëve të caktuar të cilët veçmas ose së bashku ndikojnë në shkallën e sigurisë në një mjedis të caktuar kolektiv ose në shoqëri, si dhe disponimi i qytetarëve  dhe organizimi e gatishmëria e tyre që ti kundërvihen veprimeve që paraqesin rrezik.

Praktikisht, krahas kësaj, vëzhgohen bartësit e veprimtarive rrezikuese, forcat e tyre, ndikimi, qendrat e formuara, “faktori negativ” e me “elemente pozitive”- forcat subjektive dhe aftësia e tyre që të kundërvihen.

Gjatë shqyrtimit të situatës së sigurisë, vlerësohen  gjendje të ndryshme latente ose konfliktuoze momentale, shembujt e tyre dhe zhvillimi i mundshëm.

Ne pjesën përmbyllëse të vlerësimit të situatës së sigurisë, është e nevojshme që të bëhet parashikimi i sjelljeve të ardhshme dhe aktivitetet e bartësve të veprimeve rrezikuese dhe detyrat e tërë sistemit të sigurisë në kundërvënien ndaj veprimtarisë armiqësore, eliminim e shkaqeve të cilat i shkojnë për shtati armikut dhe ngushtojnë hapësirën për veprimin e tij.

Situata e sigurisë përcillet dhe vlerësohet,  në mënyrë që të përcaktohet ndërmarrja  e masave të mëtutjeshme me të cilat organet kompetente të sigurisë, do ti shkatërronin bartësit e veprimtarisë rrezikuese  dhe ndikimin e tyre në disponimin e qytetarëve dhe realizimin e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë.

Dhe krejt në fund: Nëse vlerësimi i sigurisë kërkon gatishmëri imediate dhe vlerësohet si diçka e rrezikshme për vendin, atëherë Ushtria e Kosovës është garanci jonë ,sepse është përgjegjësi kryesor dhe detyra e saj kryesore është  mbrojta e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Dhe pastaj Ushtrisë sonë në mbrojte të sovranitetit dhe integritetit territorial i bashkohen të gjitha institucionet e sigurisë si dhe mobilizohet populli.

Këto fjali të mia të shkruara në fund të këtij shkrimi të shkurtë janë një tregues i qartë i asaj çfarë mesazhi dua ta përçoj, këto fjali  janë kuptimplota e me thellësi të shpirtit që kanë domethënien e vet. -Shkruaj sepse edhe ashtu mendoj. -Brenga ime e shprehur përmes disa rreshtave edhe pse kam shumë e më shumë për të thënë, e për shkruar e këshilluar, le të shërbejë për të gjithë ne si një mesazh që të jemi më të kujdesshëm e sy çelë, mos të injorojmë por edhe mos të biem pre e provokimeve dhe grackave që na përgatiten nga armiqtë tanë. Dhe krejt në fund, të jemi të bashkuar dhe të veprojmë siç është më së miri për vendin tonë!

Mitrovicë 25.07.2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Wanda Nara ka treguar edhe një herë trupin e saj…