PSD-ja kërkon nga deputetët ta përkrahin projektrezolutën dhe projektligjin për dialogun me Serbinë

11 dhjetor 2018 | 17:09

Nënkryetarët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, kanë ftuar të martën partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës, që ta përkrahin projektrezolutën dhe Projektligjin e PSD-Nisma-Alternativa për dialogun me Serbinë.

Ymeri ka theksuar se procesi i tanishëm i dialogut është i pranueshëm vetëm nëse rezulton me njohjen e ndërsjellë të palëve të përfshira në këtë proces, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe me përshpejtimin e proceseve integruese të shtetit tonë në NATO dhe BE.

Ai ka thënë se në këtë proces, roli qendror i takon Kuvendit të Kosovës, i cili sipas tij duhet ta votojë delegacionin shtetëror. Në këtë kontekst, Ymeri ka thënë se detyrat, përgjegjësitë e kompetencat e këtij delegacioni duhet të definohen dhe saktësohen me Projektligjin e propozuar nga PSD-Nisma dhe Alternativa.

“Delegacioni shtetëror ka të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe të interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në procesin e dialogut. Vendimet brenda delegacionit do të jenë konsensuale, me pajtueshmërinë e të gjithë anëtarëve të tij. Delegacioni shtetëror do të raportojë në mënyrë të rregullt rreth ecurisë së procesit të dialogut para Komisionit për mbikëqyrjen e dialogut”, ka thënë Ymeri.

Duke e shpjeguar ndërlidhjen në mes të projektrezolutës dhe Projektligjit, nënkryetari tjetër i PSD-së, Dukagjin Gorani, ka thënë se këto dokumente nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën.

Ai ka thënë se rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse ligji pa rezolutë nuk ka as kontekst dhe as shpjegim politik.

“Roli qendror i delegacionit shtetëror është i domosdoshëm për t’i evituar mospajtimet e mundshme politike dhe konfuzionin publik, që do të mund të shkaktohej nëse procesi negociator do të zhvillohej në instanca paralele”, ka thënë Gorani, duke sqaruar se të dy dokumentet janë harmonizuar tashmë me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe Alternativën. Gorani ka thënë se janë duke e pritur qëndrimin e PDK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora nxori nga shpirti Madonën që “fle” brenda saj,…