PSD-ja nuk përfshihet në një Qeveri që buron nga kjo përbërje e Kuvendit

18 tetor 2018 | 14:10

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka treguar arsyet se pse ky subjekt politik nuk po i braktis seancat parlamentare sikurse pjesa tjetër e opozitës. Ajo ka deklaruar se PSD-ja ka subjektivitetin e vet dhe nuk u nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kuçi ka deklaruar se këtë Qeveri mund ta rrëzojë opozita vetëm si e bashkuar. “Kuvendi nuk është i Qeverisë, por i deputetëve të zgjedhur. Partia Socialdemokrate e ka subjektivitetin e vet dhe nuk u nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik. Jemi të vetmit që kemi dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë. Kjo Qeveri mund të rrëzohet nga opozita vetëm si e bashkuar. Bashkimi i opozitës për veprimet edhe në kuvend është, para së gjithash, përgjegjësi e grupeve më të mëdha parlamentare”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka deklaruar se PSD-ja është e gatshme dhe e interesuar që bashkë me pjesën tjetër të pozitës ta bëjmë një strategji të përbashkët për rrëzimin e Qeverisë me të gjitha partitë opozitare. “Por, nuk jemi të interesuar për t’u shërbyer diskurseve populiste dhe agjendave të partive të tjera politike. Subjektet e tjera opozitare nuk po e bojkotojnë kuvendin, por disa seanca plenare, sidomos ato më mediatike. Ata po marrin pjesë edhe në punën e komisioneve parlamentare. Kjo dëshmon se veprimi opozitar pa strategji të përbashkët dhe pa bashkërendim është joserioz dhe për poenë të lirë politik. Është edhe kundërproduktiv dhe manipulues, meqë dihet se gjasat që Qeveria të rrëzohet nga subjektet opozitare pa Partinë Socialdemokrate janë pothuajse zero”, është shprehur ajo.

Më tej, Kuçi ka bërë me dije se PSD-ja edhe në praktikë ka ndërmarrë veprime konkrete për rrëzimin e Qeverisë. “Sa i përket mocionit për rrëzim të Qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Por, duhet kuptuar se mundësi serioze për rrëzimin e Qeverisë është vetëm opozita e bashkuar me strategji të përbashkët, e kjo nuk bëhet pa Partinë Socialdemokrate”, ka thënë ajo. Ajo u është përgjigjur edhe akuzave ndaj këtij subjekti, se është bërë patericë e pushtetit. “Akuzat për përafrimin e PSD-së me pushtetin nuk janë të reja. Janë vazhdimësi e propagandave të nxitura edhe nga qarqet e ndryshme të segmenteve të pushtetit që duan ta dobësojnë opozitën, edhe të segmenteve të caktuara të opozitës që duan ta maskojnë paaftësinë e tyre për ta organizuar dhe bashkërenduar opozitën për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Kuçi.

“Epoka e re”: Znj. Kuçi, ndryshe prej subjekteve të tjera opozitare, PSD-ja nuk po i braktis seancat e Kuvendit të Kosovës. Pse nuk po veproni sikur pjesa tjetër e opozitës?
Kuçi: Kuvendi nuk është i Qeverisë, por i deputetëve të zgjedhur. Partia Socialdemokrate e ka subjektivitetin e vet dhe nuk u nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik. Jemi të vetmit që kemi dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë. Kjo Qeveri mund të rrëzohet nga opozita vetëm si e bashkuar. Bashkimi i opozitës për veprimet edhe në Kuvend është, para së gjithash, përgjegjësi e grupeve më të mëdha parlamentare. Ne jemi të gatshëm dhe të interesuar të ulemi dhe ta bëjmë strategjinë e përbashkët për rrëzimin e Qeverisë me të gjitha partitë opozitare. Por, nuk jemi të interesuar për t’u shërbyer diskurseve populiste dhe agjendave të partive të tjera politike. Subjektet e tjera opozitare nuk po e bojkotojnë kuvendin, por disa seanca plenare, sidomos ato më mediatike. Ata po marrin pjesë edhe në punën e komisioneve parlamentare. Kjo dëshmon se veprimi opozitar pa strategji të përbashkët dhe pa bashkërendim është joserioz dhe për poenë të lirë politik. Është edhe kundërproduktiv dhe manipulues, meqë dihet se gjasat që Qeveria të rrëzohet nga subjektet opozitare pa Partinë Socialdemokrate janë pothuajse zero.

“Epoka e re”: Duke vepruar në këtë mënyrë, opozita, e sidomos Lëvizja Vetëvendosje, po ju akuzon se jeni bërë patericë e pushtetit?
Kuçi: Akuzat për përafrimin e PSD-së me pushtetin nuk janë të reja. Janë vazhdimësi e propagandave të nxitura edhe nga qarqet e ndryshme të segmenteve të pushtetit që duan ta dobësojnë opozitën, edhe të segmenteve të caktuara të opozitës që duan ta maskojnë paaftësinë e tyre, për ta organizuar dhe bashkërenduar opozitën për ta rrëzuar Qeverinë. Partia Socialdemokrate nuk ka pasur diskutime dhe as nuk do të ketë diskutime për t’u përfshirë në çfarëdo qeverie të mundshme që buron nga kjo përbërje e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partia Socialdemokrate nuk përfshihet as në qeverinë pas zgjedhjeve të reja ku do të ishte Partia Demokratike e Kosovës, pa shkuar ajo së paku për një mandat të plotë në opozitë.

Lëvizja Vetëvendosje! vazhdon në njërën anë ta luftojë me të gjitha mjetet politike Partinë Socialdemokrate e cila nuk ka asnjë përgjegjësi negative për gjendjen politike dhe ekonomike të Kosovës, në anën tjetër po koordinohet me ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe po flirton me deputetët e PAN-it. Kjo është për keqardhje dhe flet për mënyrën se si Vetëvendosja e ushtron sot politikën. Do të ishte më progresive sikur të angazhohen për ta bashkërenduar veprimin e përbashkët opozitar politik dhe shoqëror, në vend se të sulmojnë gjithçka që nuk është pjesë e agjendave dhe e interesave të tyre partiake, me qëllim të krijimit të përshtypjes se janë të vetmit opozitarë në këtë vend.

Duket se sulmet ndaj tjetrit janë edhe strategji e Vetëvendosjes që të mos flitet për veten. Jo vetëm për rënien e popullaritetit të saj që po shpërfaqet në çdo sondazh, por veçanërisht për faktin se nuk i ka ndodhur asnjë subjekti politik në historinë e pluralizmit në rajon, mbase edhe gjetiu, që t’i dorëhiqen kryetari, nënkryetari, sekretari, gjysma e kryesisë, gati gjysma e grupit parlamentar, administrata, shumica e kryetarëve të komunave, dhjetëra asamblistë etj. Kjo flet për profilin e një subjekti politik.

“Epoka e re”: Në rast se do të vijë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, a do ta përkrahë PSD-ja?
Kuçi: Ne jemi deklaruar dhe kemi pasur veprime konkrete karshi kësaj çështje. Sa i përket mocionit për rrëzim të Qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Por, duhet kuptuar se mundësi serioze për rrëzimin e Qeverisë është vetëm opozita e bashkuar me strategji të përbashkët, e kjo nuk bëhet pa Partinë Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Projektrezoluta e PSD-së për dialogun Kosovë – Serbi nuk është votuar në Kuvend, sikurse nuk është votuar as ajo e LDK-së dhe as ekipi negociator i Qeverisë për dialogun me Serbinë. Si duhet të veprohet për arritjen e një konsensusi nacional për këtë çështje?
Kuçi: Partia Socialdemokrate e rithekson qëndrimin e saj, se një çështje kaq e ndjeshme si procesi i dialogut me Serbinë, duhet patjetër të zgjidhet nëpërmjet debatit demokratik në Kuvendin e Republikës. Aty duhet të farkohet platforma e përbashkët negociatore dhe, rrjedhimisht, të formohet ekipi negociator. Kjo është e mënyra e vetme e mundshme që merr parasysh edhe fuqinë e numrave, edhe mendimet kundërshtuese, edhe urgjencën e përgjegjësive shtetërore. Shkurt, duhet gatishmëri për kompromis nëse synohet për bashkim.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ofruar mbështetjen për…