PSD-ja tregon masat që duhet të merren nga qeveria pas rritjes së çmimeve
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj të hënën në një konferencë për media ka treguar se cilat masa duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës pas rritjes së çmimeve.
Ai ka thënë se duhet të bëhet funksionalizimi i Këshillit Ekonomiko Social, rritja e pagës minimale dhe lirimi i produkteve bazë nga TVSh-ja.
“Diferenca e rritjes së çmimit nga muaji paraprak në këtë muaj, duhet të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës për këto produkte bazë prapë. Pra subvencionim i rritjes së çmimit përkatësisht dallimit në çmim nga ai që ka qenë për këtë rritje, për miellin, kripën, sheqerin, bukën dhe qumështin” , ka thënë Molliqaj, duke shtuar se rritja ekonomike nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët.
“Ky është më shumë koncept i djathtë sesa koncept i një qeverie të majtë ose socialdemokrate, sepse rritja ekonomike e cila nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, ajo mund të jetë rritje ekonomike e cila ose është rritur importi ose është rritur kapitali i koncentruar për bizneset e mëdha dhe qytetarët vetëm sa e kanë pësuar atë”, ka thënë Molliqaj.
Më tutje, ai ka paralajmëruar aksion simbolik në lidhje me ngritjen e çmimeve të produkteve bazë në vend.
Kurse Imer Raçi, ekonomisti i PSD-së, ka thënë se një shportë me produkte bazë që ka kushtuar 18 euro, tani kushton 23.55 cent.
“Kosova i ekspozohet rritjes së çmimeve duke qenë se valutë monetar e ka euron dhe gjithashtu Kosova varet nga importi, ku dihet se 9 euro importojmë dhe 1 euro eksportojmë”, ka thënë Raçi.
Sipas tij shtresat më të goditura nga rritja e çmimeve janë pensionistët edhe personat që marrin të ardhura fikse.



