Pse BE-ja po tmerrohet nga Vuçiqi sipas analistit gjerman?

12 janar 2022 | 12:40

Analisti gjerman që merret specifikisht me politikën e Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel, e ka kritikuar qasjen e BE-së ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Vogel ka shtruar pyetjen se pse BE-ja është kaq “e tmerruar” nga Vuçiqi, sa që as nuk e përmendin emrin e Serbisë.

Këtë koment ai e ka bërë duke iu referuar konferencës për media të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano të martën, lidhur me sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së BE-së, Millorad Dodik.

“Duke dëgjuar konferencën e djeshme të mesditës, nuk mund të mos mendoja, pse BE-ja është kaq e tmerruar nga Vuçiqi? Ata nuk mund të thonë as ‘Serbia’ në podium. E jashtëzakonshme”, ka shkruar Vogel në llogarinë e vet në “Twitter”.

“Nuk do të thosha se janë të tmerruar. Ata thjesht janë në siklet sepse autokrati i tyre i përkëdhelur po sillet keq”, i ka komentuar një qytetar.

Atij, Vogel i ka replikuar: “Po ke të drejtë. Por ajo shfaqet si frikë.”

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën në një konferencë për media se BE-ja po shqyrton sanksionet e mundshme ndaj Republika Srpskas në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai ka thënë se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për Bosnjë e Hercegovinën më 24 janar, por e gjithë konferenca u karakterizua me tepri diplomatike krahas Dodikut, të cilin ShBA-ja tashmë e ka sanksionuar duke e targetuar hapur si faktor të destabilizimit të Bosnjës.

Toby Vogel ka kritikuar vazhdimisht qasjen e butë të BE-së karshi situatës së tensionuar në Bosnjë dhe karshi Serbisë, e cila e mbështet hapur Dodikun në synimet e tij për shpërbërjen e Bosnjës.

Së fundmi, Vogel tha se BE-ja nuk ka nevojë për konsensus për të vendosur sanksione.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka vazhduar përgatitjet për dy…