PSE KOSOVA DUHET TË PRANOHET MË SHPEJT NË NATO?

13 korrik 2021 | 21:38

Qeveria jonë pa humbur kohë duhet të bëjë kërkesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një tregues real i përkushtimit që ka populli i Kosovës dhe të gjitha komunitetet ndaj vlerave euro-atlantike. Vetëm një Kosovë në NATO, mund të mbyllen vrimat e zeza në Ballkan dhe ky është hapi më vendimtar që do të hidhte Perendimi drejt tkurrjes së hartës së ndikimit rus në Ballkan.

Nga Mehmet PRISHTINA

“Nëse Mali i Zi nuk do të ishte anëtarësuar në NATO dhe nëse nuk do të kishte qenë në derën e Bashkimit Evropian, unë jam i sigurt se një luftë civile do të kishte shpërthyer në Malin e Zi deri tani. Por, për fat të mirë, kjo nuk do të ndodhë,” tha për Al Jazeera, Metropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze Mihailo (CPC) pasi përkujtoi viktimat e gjenocidit të Srebrenicës të dielën. Ai është udhëheqësi i parë i një kishe ortodokse që erdhi në kompleksin përkujtimor në Potocari afër Srebrenicës në 2005 për të bërë homazhe ndaj myslimanëve të vrarë dhe për të siguruar mbështetje për familjet e tyre.
Në Ballkanin Perendimor ende ka vrima të zeza të cilat shfrytëzohen nga Rusia dhe satelitës e saj për ta destabilizuar rajonin. Sipas kësaj logjike destabilizuese, Kosova dhe BeH janë dy fushat ideale ku “kuajt e apokalipsës” mund të kalërojnë deri sa të arrijnë në cakun që e dëshirojnë kalorësit e rinjë të ideve të vjetra antieuro-atlantike.
Ura e Ibrit në Mitrovicë është kufiri ku ndeshet Perendimi dhe Lindja, demokracia dhe destruktiviteti pansllavist,  ndërkohë që Kosova si shtet do të tregohej e pafuqishme të mbrojë këtë “mur gjeopolitik” nga shkërmoqja, sikur të mos ishin të dislikuara forcat ushtarake të KFOR-it. Pra, stabilitetin e Kosovës dhe rrezikun e ndëryhrjes ushtarake nga Serbia, tani për tani po e mbron KFOR-i, e jo edhe forcat e sigurisë së Kosovës. Kjo edhe për faktin se vite më parë ish udhëheqja e Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje për mosndërhyrje të FSK-së në veri të Kosovës, pa miratimin e gjeneralëve të NATO-s.
Nëse i referohemi rrethanave politike dhe të sigurisë në Mal të Zi, letësisht mund të konkludohet roli që ka NATO në ruajtjen e  stabilitetit të këtij shteti të vogël ballkanik. Serbia provoi disa herë të imponojë skenarë për të përmbysur pushtetin në Mal të Zi, dhe përmes grushtshtetit të dhunojë vullnetin politik e shtetëror në Podgoricë, në favor të ideve ekspansioniste, ku Rusia do të kishte një qasje të papengueshme në këtë krah mesdhetar të NATO-s.
A duhet të ndodhin skenarë të ndryshëm destabilizues të Serbisë në Kosovë, për t’u bindur se sa është i nevojshëm pranimi i Kosovës në NATO?
Shumë kush do të mundohet të paraqesë kundërargumente ndaj kësaj ideje, duke pretenduar se mjafton prania aktuale  KFORI-it për të ruajtur stabilitetin e Kosovës.
Por, vërtetë a mjafton kjo?
Ushtarët e KFOR-it kanë hyrë në Kosovë me 12 qershor 1999 bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe rezolutën 1244 të OKB-së, të cilët ofrojnë siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha bashkësitë etnike e fetare në Kosovë.
Me 9 qershor të vitit 1999, NATO dhe ushtria e Serbisë, patën nënshkruar marrëveshjen e njohur si marrëveshja e Kumanovës, ku Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Ndër të tjera në marrëveshje parashihej: që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, dhe policia lokale.
U caktua po ashtu një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës, ndërsa, në një zonë tjetër prej 5 kilometrash përtej kufirit me Kosovën, ushtria serbe nuk lejohej të vendoste armatime të rënda, përveç ushtarëve kufitarë. Marrëveshja e Kumanovës u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë.
Misioni i KFORit brenda mandatit që ka , sipas deklaratave të gjeneralëve që drejtojnë këtë forcë shumëkombëshe, nuk është ndryshe nga ai që kishte para 22 viteve më parë. Ky mision vjen drejtpërdrejt nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 dhe KFORi në Kosovë konsiderohet si një forcë ndërkombëtare që jep siguri. Ajo që dallon tani nga 21 vite më parë,  është se KFORi tani nuk është  i vetmi institucion i sigurisë në Kosovë, për arsye se tani funskionion edhe policia e Kosovës, policia kufitare e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës. Rrjedhimisht  KFORi vepron si faktor i katërtë për të ruajtur sigurinë në Kosovë.
Sipas mandatit që ka, komandanti i KFOR-it po ashtu ka përgjegjësi të ruajë marrëdhëniet me shefin e forcave ushtarake serbe. Kjo marrëdhënie është periodike, por mund të vendoset në çdo kohë kur krizat mund të shpërthejnë. Në ato raste komandantët e KFORIt kontaktojnë drejtpërdrejt, në përpjekje për të zbutur çfarëdo situate përshkallëzimi, që mund të sjellë ndonjë incident ndërkombëtar.
Ish-kreu i Forcës shumëkombëshe Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Michele Risi, lidhur me operacionet e autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, kohë më parë u deklaroi mediave se Policia e Kosovës mund të kryejë operacione atje në mënyrë të pavarur pa u konsultuar me KFOR-in, por për ndërhyrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në këto operacione, ai tha se nevojitet autorizim nga KFOR-i.
NATO- përpos që është një mekanizëm ndërkombëtar i sigurisë kolektive, është edhe struktura më e përgatitzur politiko-sushtarake që kujdeset për balancat gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Dimesnioni politik i kësaj strukture është e njël rëndsie të veçantë, sidomos në raport me pretendimet ruse për të penguar procesin e demokratozimit dhe liberalizimit në disa shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Prandaj Moska e sheh me sy jo të mirë zgjerimin e NATOs në kufinjt e saj lindor.
As Kosova nuk bën përjashtim nga ky fërkim gjeopolitik, ku NATO përbën gurin e peshorës që përcakton qartë kufirin se ku përfundon ndikimi rus dhe ku fillon demokracia euro-atlantike.
Mandati i tanishëm i KFOR-it mund të konsiderohet si i pamjaftueshëm për të mbyllur të gjitha vatrat e krizës që mund të shpërthejnë në këtë pjesë të Evropës Juglindore, ku Serbia po tregohet mjaft agresive në fuqizimin e saj ushtarak me armë të sofistikuara ruse, si shantazh i drejtpërdrejt ndaj NATOs dhe BE-së. Këtë fuquzim rus nuk mund ta ndalë mandati i kufizuar KFORit, por vetëm struktura politke-ushtarake e NATOs, e cila do të duhej ta pranojë në gjiun e  saj Kosovën, si anëtare e barabartë, në mënyrë që siguria, stabiliteti, ekuilibri gjeopolik të ruhen brenda parametrave të kënaqshëm.
Pa dyshim që roli i deritanishëm i KFORit ka qenë kolosal në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Kosovës, por kjo forcë shumëkombëshe në shumë raste pëngjan në një zjarrfikës me veprim lokal e të kufizuar, ndërkohë që Kosovës i kanoset një “zjarr” më i madh nga piromanët e Beogradit, për shuarjen e të cilit nuk do të mjaftonin “zjarrifëkësit” aktual të KFORit.
Qeveria jonë pa humbur kohë duhet të bëjë kërkesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një tregues real i përkushtimit që ka populli i Kosovës dhe të gjitha komunitetet ndaj vlerave euro-atlantike. Vetëm një Kosovë në NATO, mund të mbyllen vrimat e zeza në Ballkan dhe ky është hapi më vendimtar që do të hidhte Perendimi drejt tkurrjes së hartës së ndikimit rus në Ballkan.

Prishtinë, 13 korrik, 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një…