Pse mendoj se Fatmir Xhafaj gaboi kësaj here

29 tetor 2018 | 10:35

Nga Bedri Islami

Dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj nga detyra e tij, mëngjesin e së shtunës, ishte ngjarja më e papritur politike e mandatit të dytë qeverisës së kabinetit Rama. Nuk e di pse jam i bindur se pak ditë më parë një dorëheqje e tillë as që mendohej, ashtu si mund të marr me mend se çfarë stuhish duhet të jenë ngritur në orët e fundit para largimit të tij.
Pak ditë më parë, përmes mesazheve me zotin Xhafaj, kishim lënë mundësinë e një takimi të shpejtë, si një çështje kohe, por edhe përmes rreshtave askush nuk mund të lexonte se ai po përgatitej për një largim të mundshëm. As ai vetë nuk mund ta kuptonte, sepse nuk ekzistonte një mundësi e tillë.
Megjithatë, dorëheqja ndodhi. Nën trysninë e politikës opozitare nuk besoj të ketë ndodhur. Sepse, pas sukseseve të fundit të këtij dikasteri, edhe opozita më budallaqe do ta kishte kuptuar se, duke luftuar kundër këtij ministri, në fakt ato po luftonin me mullinjtë e erës, ndoshta edhe më keq, ata do të dëshmonin se, duke qenë kundër njeriut që përmbysi shumë tabu në Policinë e Shtetit dhe ndaj të “fortëve”, ata bëheshin palë me këto të fundit.
Nuk besoj se është ndjerë i lodhur nga gjithë kjo që po ndodhte rreth tij, emrit të tij dhe familjes së gjerë. Nëse do të kishte pasur lodhje, ajo mund të kishte qenë në një kohë tjetër, ose ndoshta nuk do të ishte ripranuar detyra e tij në rikthimin e postit të ministrit pas zgjedhjeve të vitit të shkuar.
Periudha që kanë rendur para dorëheqjes kanë qenë shumë më të rënduara në secilën ditë dhe kanë pasur një intensitet të tillë saqë do të kishin mjaftuar për të shkarkuar disa ministra që nuk do të kishin karakter dhe besim në detyrën e tyre. Ai i përballoi, megjithëse kurbani kishte qenë i rëndë.

Ndonëse nuk e kërkonte më vendi ku ishte dënuar, me të drejtë apo jo, dërgoi vëllanë drejt një riburgimi, i cili nuk do të jetë edhe aq i shkurtër.
Në të gjitha rastet ai shfaqi qetësinë e një drejtuesi fjalëpakë, ndërsa tani, kur sapo kishte filluar të ndjelltë frutet e një pune të saktë, ai largohet. Enigma është e pranishme, nuk dihet se sa do të zgjasë heshtja e tij, por një e vërtetë mbetet: largimi i tij, edhe po të ishte i paralajmëruar, ishte i gabuar.
Pse mendoj se Fatmir Xhafaj gaboi kësaj here?

Në 28 vjet jetë plurale ai ishte ministri më i suksesshëm i cili krijoi në pak kohë profilin e një ministri ndryshe, aspak militant, i zhveshur nga ndikimi i grupeve dhe i pranisë së forcës që e kishte deleguar në atë post të rëndësishëm; i gatshëm që të krijonte një elitë të re drejtuese, duke zhvendosur pa dhimbje njerëzit që kishin mbi punën e tyre një enigmë të shkuar, ndaj spostoi në 10 qarqe drejtorët e policisë, i ndërgjegjshëm se puna e tij ishte e vështirë, por mund të realizohej nëse koncepti i drejtë dhe vizioni për ndërlidhjen e re mes strukturave të ligjit do të ishte primar.
Xhafa erdhi në këtë detyrë duke pasur një besim të pashoq nga partnerët ndërkombëtarë; edhe kur ata ishin larg, si agjencitë ligjzbatuese të ShBA-së, por edhe institucionet e rëndësishme evropiane që monitorojnë politikat e sigurisë në Shqipëri. Megjithëse ai u ndodh, si kurrë më parë, përballë një presioni të jashtëzakonshëm politik të opozitës, e cila ngriti dhjetëra akuza ndaj tij, në asnjë rast, askurrë, ata nuk u mbështetën nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare. Ministri Xhafa dhe qytetari Xhafa vazhdonte të kishte mbi vete këtë mantel mbrojtës ndërkombëtar.

Në fakt, në të gjithë qeverinë Rama, ndoshta edhe më mirë nga Rama vetë, Xhafa ishte jo vetëm shtetas, por edhe burrë shteti. Ai i njihte strukturat shtetndërtuese dhe shtetzhvilluese më mirë nga gjithë ekipi tjetër, i cili kishte ardhur befas në politikë e, po aq befas, një mëngjes e kishte ndjerë veten anëtar i një qeverie të majtë. Ndoshta që këtu fillon edhe kontradikta e tij me ekipin, pjesë e së cilës ishte, e ndoshta, edhe me vetë shefin e qeverisë.
Jo më kot ekzistonte mendimi se, “nëse Edi Rama bie, atë mund ta zëvendësojë Fatmir Xhafa, por nëse bie Xhafa, atë nuk e zëvendëson dot Edi Rama”.

Largimi i Xhafës është dashur me ngulm nga opozita. Nga e gjithë struktura e saj politike. Ishte një drojë e pazakontë e opozitës ndaj emërimit të tij, ashtu si është tani një gëzim i papërmbajtur.
Opozita nuk e desh Xhafën jo se ai kishte një foto në tribunë me ish liderin e një kohe tjetër, pasi ajo vetë drejtohej nga një gërmadhë politike që kishte ëndërruar për një foto të tillë, apo që as duart nuk i lante pas një shtrëngimi me Hoxhën.
Opozita nuk e desh Xhafën jo se ai kishte qenë edhe më herët ministër i Drejtësisë dhe kishte qenë ndryshe nga ministrat e saj të drejtësisë që bëheshin, si mos më keq, lolo në duart e një birboje plëngprishës. Opozita drejtohej nga një urdhërdhënës për katër vrasje.

Opozita, duke e filluar lojën e saj nga Nishani president, i cili ngriti stekën e lojës deri në sajime të përçudshme politike, megjithëse do të ishte i detyruar ta dekretonte, bëri kauzë të saj çështjen Xhafa për dy arsye themelore: ai kishte qenë drejtuesi i Komisionit të Posaçëm për ndryshimet kushtetuese që lidhen me reformën në drejtësi dhe, së dyti, sepse e dinin se tani kishin të bënin me një shtetar, njohës të mirë të ligjeve, që nuk mund ta përkulnin.
Megjithatë, Fatmir Xhafa, u tërhoq.

U tërhoq në vitin kur mbjellja e narkotikëve, Canabis sattiva, është në rekordin minimal të mundshëm dhe kur nga harta e dikurshme kanë mbetur vetëm disa njolla, gjë që nuk mund të imagjinohej pak muaj më parë. Asnjëherë në këto vite nuk ka pasur një pakësi të tillë mbjelljesh dhe kaq shumë goditje paraprake , të cilat, sido që të jetë, e zhdukin Shqipërinë nga harta e vendeve kultivuese të hashashit.
Këtë nuk e kishte arritur askush.

Çmitizimi i të fortëve, edhe kur ata janë të lidhur fort me politikën, ishte shfaqja tjetër e një Policie ndryshe dhe e një drejtuesi të pafjalë.
Goditjet e ditëve të fundit, jo të pakta, por as edhe të fundit, u bënë ndaj disa grupeve që mendohej se kishin lidhje me politikën. Të grupeve që mendonin se e kishin të garantuar paprekshmërinë e tyre. Që mendonin se ishin bërë partnerë me politikën dhe se kjo e fundit varej prej saj. Këto banda të “të fortëve”, pjellë e pushtetit të vitit 1996 e vazhdim i mëtejshëm, kishin krijuar staturën e tyre dhe kishin krijuar mendësinë, edhe tek të tjerët, se ishin një pushtet i dytë.
Fillimi i goditjes së tyre, në disa zona të përvëluara nga nxehtësia e politikës, si në Shkodër, në Durrës, në Elbasan ngjalli panikun dhe nga ky panik shumë do të jenë trembur.
Njeriu që paralajmëroi se e gjithë kjo ishte fillesa e goditjes, tani, befas, kur askush nuk e mendonte, u tërhoq.
Dorëheqja e tij u pranua vetëtimthi. Nënshkrimi i një ministri tjetër, po ashtu, i cili mund të jetë dhe besoj të jetë, po aq i devotshëm dhe shtetar i mirë.

Kush e detyroi Xhafën të tërhiqej?
Janë tri mundësi:
Së pari, shefi i qeverisë, Edi Rama. Shkaqet mund të gjenden mes tyre. Është naive të mendohet se dorëheqja e Xhafës është bërë në një çast shpërthimi. Ai është shtetar. Ka të ngjarë që statura politike në rritje e Xhafës, të ishte në radhët e vetë partisë së tij një greminë më shumë. Dëshira për të bërë ligjin edhe brenda kupolës së tij, shtrirë në degëzime, një greminë tjetër. Ai po lëvizte përmes tyre. Kjo mund të ishte e duartrokitur për njerëzit, por jo për liderët. Jo për ata që i rrethojnë liderët. Sidomos jo për këto të fundit. Më të shumtë, jo anonimë. Ndodh edhe kështu. Shefi i qeverisë, ashtu i rrëmbyeshëm si është, mund të ketë dëgjuar zërat jashtë qeverisë për të bërë një lëvizje brenda qeverisë.
Së dyti, grupet që mund të jenë të listuara për goditje të kenë ndërmarrë revanshin e tyre. Vangjushi mund të jetë njëri prej tyre. Dosjet e prokurorisë nuk janë tabu. Ata, më parë se të shkojnë në gjykatë, vazhdojnë të shkojnë në opozitë. Nëse ka ndodhur kjo, atëherë do të ishte gjëja më e dhimbshme dhe dëshmi se shteti duhet të ringrihet.

Duhet pranuar se grupet kriminale në Shqipëri, aq sa ishin të lidhura me PD-në në kohën e sundimit të saj, aq lehtësisht mund të shkojnë majtas. Nëse ata kanë ndjerë rrezikun e fatit të Bajrëve, të grupit të Shijakut apo të asaj që mund të ndodhë rreptë në Elbasan e gjetkë dhe, kanë pasur forcën të veprojnë e të rrëzojnë një ministër, atëherë ballafaqimi nuk do të jetë i largët. Gjushi mund të rrëzojë përkohësisht një ministër, por nuk ndryshon gjithçka.
Së treti, strukturat jashtë Shqipërisë kanë menduar se është koha e një ndryshimi, duke sjellë në drejtimin e dikasterit, përsëri një njeri të besuar të tyre, i cili, veç shkollimit ushtarak, ka edhe trajtim të veçantë në shkollat e sigurisë. Bile, të një niveli të lartë. Kjo e fundit do të ishte më lehtësuesja, por që ka ndodhur një shkëmbim rolesh mesnatën e së premtes, kjo u bë e ditur të shtunën në mëngjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish kapiteni i ushtrisë, Jair Bolsonaro është zgjedhur president i…