Pse Murat Jashari, nipi i bacës Adem Jashari, duhet të jetë president i ri Kosovës

21 dhjetor 2020 | 11:14

Nga Bedri Islami

Në Kosovë është një gjendje politike tejet e veçantë: pas dorëheqjes së detyrueshme të ish-presidentit Hashim Thaçi, për shkaqe që dihen, vendi është me ushtruesen e detyrës, e cila është edhe kryetare e Kuvendit. Janë dy mundësi: zgjedhja e një presidenti të ri përmes kompromiseve jo të lehta, ose zgjedhjet e reja parlamentare.

Nga katër parti kryesore shqiptare në Kosovë, tri prej tyre aspirojnë të kenë për vete postin presidencial: AAK-ja e synon këtë për liderin e saj, Ramush Haradinaj, dhe ai vetë e ka shpallur haptas synimin e tij; PDK-ja, së cilës i mungon kryetari i saj, Kadri Veseli, e quan të domosdoshme që posti presidencial të jetë për një zgjedhje të saj, duke mohuar përkrahjen nga Haradinajt; ndërkohë LDK-ja, që ka postin kryeministror, pasi ka humbur vendin e kryetarit të Kuvendit, me ndarjen e saj nga zonja Osmani, e quan normale të ketë edhe vendin e presidentit. Lëvizja Vetëvendosje nuk do asnjërën zgjidhje, ajo kërkon zgjedhje të reja, si rruga e vetme për t’ju qasur edhe një herë pushtetit ekzekutiv e jo vetëm kaq. Pas fitores së drejtpërdrejtë të saj në zgjedhjet komunale në Podujevë, bastioni i dikurshëm i LDK-së, oreksi është rritur.

Këto ditë, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, bëri një propozim që, dikur ka qenë edhe ide e Lëvizjes Vetëvendosje, pikërisht kur ajo qeveriste dhe kishte shpallur haptas synimin për rrëzimin e Thaçit. Fatmir Limaj deklaroi se forca e tij politike, e cila nuk ka asnjë ambicie për president do të mbështeste me forcë një figurë gjithëbashkuese shqiptare, që do të bënte të mundur unifikimin e faktorit shqiptar, të ishte realisht mbi partitë politike dhe të gëzonte besimin sa më të gjerë të mundshëm të një opinioni publik të tronditur rëndë nga shumë arsye të keqpërdorimit të pushtetit dhe nga Gjykata Speciale.

Ai propozoi që në këtë post, të presidentit të Kosovës, të propozohej dhe të bashkoheshin për Murat Jasharin, nipin e Adem e Hamzë Jasharit, djalin më të madh të familjes së njohur Jashari, rreth së cilës janë mbledhur të gjithë shqiptarët.

“Unë mendoj, tha Limaj, se presidenti i Kosovës duhet të vijë sipas një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të forcave politike, gjë që është e vështirë të ketë një konsensus, prandaj mendoj se duhet të përcaktohemi për një figurë gjithëpërfshirëse. Është i vështirë konsensusi,  por, kur është fjala për familjen Jashari, për Murat Jasharin, kjo është diçka tjetër, ajo është përtej politikës. Është i vetmi  institucion që na bashkon. Ndoshta tashti është momenti për diçka tjetër. Murat Jashari nuk është parti politike, mos e krahasoni atë me përfaqësuesin e LDK-së, PDK-së, Nismës…

A është me vend një propozim i tillë dhe a duhet mbështetur nga forcat politike në Kosovë.

Ne mendojmë se, po. Duhet mbështetur. Duhet bashkuar rreth një figure unitare, që përmbledh në vete, njëherësh, shumë nga ata cilësi të domosdoshme, sidomos në këtë periudhë të zhvillimit të ngjarjeve.

Për secilën figurë politike që do të aspironte në këtë post të lartë, më të lartin në hierarkinë shtetërore të Kosovës, do të duheshin disa garanci të domosdoshme, të patjetërsueshme, të cilat do të garantonin që presidenca të jetë vërtet shembëlltyra e unitetit, qendër e besimit dhe  e besueshme në shkallën më të lartë të mundshme.

Asnjë figurë politike në Kosovë, qoftë nga opozita apo nga pushteti, nuk e gëzon këtë status të lartë. Asnjëri nuk është aktualisht personalitet i padiskutueshëm politik, rreth të cilit të mund të besohet se do të jetë vërtetë simbol i unitetit apo përfaqësuesi i popullit. Cilido që do të zgjidhet, sidomos në këtë situatë të vështirë politike, kur janë shtruar mjaft probleme të vështira, që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe zhvillimet e saj nuk do të jetë i pa =paragjykuar dhe i baras larguar nga forcat politike.

Ndaj është e domosdoshme të jetë një figurë politike mbi palët, që nuk përfaqëson një forcë politike, qoftë kjo edhe më e votuara tani për tani apo një koalicion qeverisës.

Në botën intelektuale, disi jashtë politikës, edhe mund të ketë një figurë të tillë përbashkuese, por gjykimi mbi çdo hap të tij do të jetë i gjykuar.

Ndryshe ndodh me figurën e Murat Jasharit, i cili është doktor i shkencave juridike, asistent profesor në Fakultetin juridik, që do të thotë se ka njohje edhe të zhvillimeve në fushën e ligjeve dhe të jurispendencës.

Nga ana tjetër janë disa përparësi absolute. Që lidhen me gjenezën e tij. Me qëndrimet e mbajtura nga familja e tij, jo vetëm gjatë luftës , por edhe pas saj, e shkëputur nga interesa politike të çastit, përkatësi politike apo anësi. Ata, si familje, përgjithësisht, kanë arritur, megjithë joshjet, premtimet e vështirësitë, të qëndrojnë mbi palët, të jenë derë e hapur për të gjithë dhe të mos bëhen palë me askënd.

Familja Jashari ka një simbol të pallogaritshëm, ku janë përulur dhe kanë besuar me përkushtim të gjithë shqiptarët. Pavarësisht bindjeve të tyre, vendeve ku kanë lindur dhe trojeve ku banojnë. Adem Jashari, themeluesi dhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së , që në ditët e para të organizimit të radhëve të luftës ka qenë njeriu përbashkues. Rreth tij janë mbledhur pa asnjë dallim shqiptarët nga të gjitha trojet dhe besimi tek ai, atdhedashuria, përkushtimi dhe qëndresa e tij dhe e Familjes Jashari, kanë qenë të pashoqe.

Nëse partitë politike shqiptare në Kosovë do të përcaktoheshin për të zgjedhur një president përbashkues, si Murat Jashari, kjo do të ishte edhe një mesazh ndaj të gjithë atyre që, me fillimin e veprimit të Gjykatës Speciale mund të mendojnë se ajo periudhë do të nëpërkëmbet, se asgjë nuk është harruar dhe se e përbashkta e partive politike në Kosovë është nderimi i vlerave.

Tani dy gjëra janë thelbësore: Së pari, prononcimi i zotit Limaj në media dhe dakordësimi i tij për të pasur president të Kosovës një figurë të njohur politike e atdhetare si Murat Jashari, nuk është i mjaftueshëm.

Nga ideja duhet kaluar në një nismë zyrtare të forcës politike që Ai përfaqëson, duke dërguar në Parlamentin e Kosovës emrin e Murat Jasharit si kandidat për postin presidencial.

Vetëm zyrtarizimi i kësaj ideje do të saktësojë edhe seriozitetin e saj.

Së dyti, Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë votim të hapur, jo me votim të fshehtë, për miratimin e Murat Jasharit në postin e të parit të shtetit të Kosovës.

Vota e fshehtë mund të jetë e vlefshme në të gjitha rastet e tjera, por jo kësaj here. Është momenti kur gjërat të bëhen haptas, edhe jashtë procedurave të zakonshme, sepse vetë gjendja nuk është e tillë.

Përbetimet për nderim dhe besnikëri ndaj vlerave të luftës çlirimtare do të jenë të dallueshme ashtu si do të përshfaqen edhe kundërshtitë. Megjithëse do të jetë e vështirë të kalojë një propozim i tillë, kjo është e vetmja rrugë për të pasur një figurë gjithëpërfaqësuese në kreun e shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e…