Pse oferta BE-së për shqiptarët është dëshpëruese?

13 nëntor 2023 | 14:21

Shkruan: Agron Hoti

Sipas të dhënave zyrtare të BE-së të vitit 2021 mbi 4.1 trilionë EUR ka arritur vlera totale e shkëmbimeve tregtare (eksporte dhe importe) dhe sasisë së investimeve reciproke mes BE-së dhe këtyre shteteve: Kinë, Rusi, Brazil, Meksikë, Turqi, Indi, Vende të Golfit (Bahreini, Kuvajti, Emirate, Omani, Katari, Arabia Saudite), Kore Jugore, Ukrainë, Kazakistan, Argjentinë, Indonezi, Filipine, Pakistan, Venezuelë, Iran, Tajlandë, Malejzi, Tajvan dhe Egjipt.

Po t’ua përmendësh qytetarëve të BE-së se çmendojnë për vendet e lartpërmendura, gjëja e parë që u bie ndërmend është: mega-korrupsioni, krimi i organizuar, organizime mafioze, tregtia me armë, droga, prostitucioni masiv, vrasje, mizori, terror, vjedhje e pronësisë intelektuale, etj. Sepse fundja janë vetë mediat e BE-së ato që publikut të tyre i sjellin informata nga më negativet të mundshme për dinamikat nëpër shtetet e lartpërmendura.

Dhe, përderisa BE s’investon në Kosovë e Shqipëri me arsyetimin se këtu paska korrupsion, me vendet e lartpërmendura e bën të pamundurën për t’i rritur shkëmbimet tregtare dhe sasinë e investimeve. Pra, Kosovës e Shqipërisë dhe tërë Ballkanit Perëndimor u kërkon BE asi standarde, të cilat s’ua kërkojnë fare vendeve të lartpërmendura, pra asi standarde, të cilat vetë BE as për së afërmi s’i plotëson e as që i ka plotësuar ndonjëherë.

Prandaj, mos investimi i BE-së patjetër që e ekspozon Kosovën, Shqipërinë dhe tërë Ballkanin Perëndimor para gllabërimit nga vendet kryesisht aziatike. Dhe ashtu po ndodh: Kosova, Shqipëria dhe tërë Ballkani Perëndimor çdo vit e më shumë po rrëshqasin nën varësinë ekonomike të vendeve kryesisht aziatike. Shembulli më i keq është Mali i Zi, i cili tanimë është nën varësi të plotë ekonomike nga Kina. As Greqia s’është fare më mirë, e ndjekur po ashtu nga Serbia. Ndërkohë që rrëshqitja e hapësirave shqiptare kah Kina, Turqia dhe Vendet Arabe duket tanimë edhe nga avioni.

Fakti që BE, në vend të investimeve aq shumë të nevojshme, Kosovës i ofron të burgosur të rrezikshmërisë së lartë (siç kërkon Danimarka) dhe Shqipërisë migrantë nga vendet afro-aziatike (siç kërkon Italia), tregon se sa dëshpëruese është oferta e BE-së për hapësira shqiptare. Migrantët dhe të burgosurit afro-aziatikë rrezikojnë tërë sigurinë shqiptare dhe e ekspozojnë popullin shqiptar përballë rrymave të ndryshme të rrezikshme fetare e politike që bazën e kanë në vendet afro-aziatike. Pra, BE do që rrezikun nga migrantët dhe të burgosurit afro-aziatikë ta heqë nga toka e saj dhe ta bartë atë në hapësira shqiptare.

Të gjithë e dinë që varësia ekonomike përcakton pastaj edhe politikat në favor të vendeve aziatike dhe në disfavor të BE-së. Pse do të duhej që Portin e Durrësit ta ndërtonin arabët, kur një gjë e tillë ka mundur të bëhet prej BE-së? Pse BE s’bën një program të shpejtë për modernizimin e infrastrukturës tepër të kushtueshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e pamundshme lidhja e Ballkanit Perëndimor me BE pa infrastrukturë.

Për fat të keq asnjë kryeministër i Kosovës dhe i Shqipërisë s’është dëgjuar asnjëherë t’i thotë BE-së që të mos na japë oferta dëshpëruese siç janë aktualisht migrantët dhe të burgosurit afro-aziatikë dhe më herët mbetjet, por investime dhe vetëm investime. Mjerisht, drejtuesit politikë të Kosovës dhe Shqipërisë gjejnë kohë t’i shpërfaqin egot e tyre personale kundër njëri tjetrit, ndërsa s’gjejnë kohë t’i kërkojnë investime BE-së kryesisht edhe nga fakti që shqiptarët kurrë më shumë s’kanë qenë më të ekspozuar para Kinës, Turqisë dhe Vendeve Arabe. Përderisa, Kina synon ekonominë, Vendet Arabe dhe Turqia të mbështetura fuqishëm nga armata e bashkëpunëtorëve të Serbisë po synojnë tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve dhe kjo kurrë s’ka qenë më e dukshme se sot. A.H.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut në Këshillin…