Pse refuzojmë Amerikën për Ballkanin e Hapur?

19 qershor 2022 | 23:47

Shkruan: Agron Hoti

Nëse edhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane krahas Ambasadorit Hill dhe të dërguarit Escobar kërkojnë që Kosova t’i bashkangjitet Ballkanit të Hapur të nënshkruar si Minischengen midis Shtëpisë së Bardhë në shtator 2020, atëherë pse biem pre e Rusisë e cila të njëjtën iniciativë mundohet ta përvetësojë me qëllimin e vetëm të goditjes së SHBA-së që po mundohet me çdo kusht ta kthejë rajonin e Ballkanit Perëndimor kah BE dhe Perëndimi?

Cila është logjika që t’i themi jo SHBA-së për Ballkan të Hapur, ndërsa t’i hapim tregun çdoherë e më shumë Serbisë, eksportet e së cilës në Kosovë veç sa po rriten kundrejt zvogëlimit të atyre të Shqipërisë?

Po të kishim pritur derisa t’ishim bërë të barabartë me Serbinë, ndoshta as luftën s’do ta kishim nisur ndaj saj kur dihej fuqia e saj karshi nesh, ndoshta edhe në këto 23 vite çlirim do të ishte dashur të ngelnim të vetëizoluar e të mos merrnim pjesë në qindra iniciativa rajonale e evropiane, në të cilat as juridikisht e as praktikisht s’kemi qenë asnjëherë të barabartë me Serbinë.

Por, ashtu siç i jemi futur luftës kundër Serbisë si të pabarabartë, të cilën edhe si të tillë bashkë me miq e kemi mposhtur, njëjtë do të duhej të marrim pjesë nëpër të gjitha iniciativat rajonale e evropiane të mbështetura nga SHBA. Sepse, deri me sot, vetëm duke u bërë pjesë e të gjitha iniciativave rajonale e evropiane, kemi arritur që edhe si të pabarabartë para Serbisë të marrim përfitimet e nevojshme si çdo shtet tjetër i rajonit ashtu sikurse kemi arritur që t’i ulemi ballë për ballë Serbisë.

Fundja, pavarësinë e kemi shpallur për t’i dalë përballë Serbisë, e jo për t’i ikur. Vetëm duke i dalë përballë Serbisë faktorizohemi, sepse i bëjmë me dije se jemi ne ata që vendosim për fatin tonë e jo ju siç bëtë për mbi 100 vite pushtim. Vetëm kështu i japim mesazhin e duhur edhe Rusisë që mezi e pret refuzimin tonë ndaj Ballkanit të Hapur.

Kjo, sepse Rusia s’do integrim të rajonit për t’u hapur, por izolim të tij për t’u mbyllur. A nuk ishte Rusia ajo që nën maskën e BRSS-së po promovonte izolimin jo vetëm nga Perëndimi, por edhe mes për mes vetë shteteve që i kishte nën kontroll të Paktit të Varshavës? Ndërkohë ishte SHBA ajo që duke promovuar botën e hapur kishte ngadhënjyer përballë BRSS-së. Dhe pikërisht nga kjo fitore e SHBA-së Kosova ja arriti të pavarësohet nga Serbia e Rusia.

Ta kemi të qartë, Rusia do izolimin dhe autoritarizmin, kurse SHBA hapjen dhe demokracinë.

A nuk ishte Rusia që përmes shfrytëzimit të eksportit të energjisë së saj si armë ajo që e kishte bllokuar Procesin e Integrimit Evropian në tërësinë e tij duke financuar elitën politike anekënd BE-së si dhe partitë e ekstremit të djathtë, të cilat në masë të madhe e kishin paralizuar vendimmarrjen në BE dhe Vende Anëtare të BE-së?

A nuk ishte Rusia ajo që kishte bllokuar Procesin e Berlinit që në nismë të tij në vitin 2014, ngase ishte vetë varësia në rritje e Gjermanisë nga energjia ruse ajo që po e vetëvriste Procesin e Berlinit në veçanti dhe tërë Procesin e Integrimit Evropian në përgjithësi?

A nuk ishte Rusia ajo e cila që nga viti 2011, duke e shfrytëzuar përqendrimin e SHBA-së në luftën e saj kundër terrorizmit dhe duke e blerë heshtjen e evropianëve të varur nga energjia e saj po e faktorizonte Serbinë që kulmoi me ardhjen e Vuçiçit në pushtet në Serbi, pra njeriut kryesor të Millosheviqit, ndërsa po e defaktorizonte Shqipërinë duke i bllokuar integrimin evropian dhe duke tentuar rikthimin e vizave nga BE si askujt tjetër në rajon?

A nuk ishte Rusia ajo që përmes ndikimit të saj në BE po e defaktorizonte Kosovën duke e goditur me Gjykatë Speciale, me Demarkacionin si kriter për viza dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe si tentim për defunksionalizim dhe shpërbërje të shtetit të Kosovës?

Fundja, çfarë ishin thyerjet brutale, përçarjet, kontaminimet, mungesa e konsensusit edhe për gjëra më absurde, sulmet në rritje ndaj SHBA-së dhe projekteve të saj, të cilat të marra së bashku po prodhonin jostabilitet të vazhdueshëm në Shqipëri e Kosovë, sidomos pas vitit 2014?

A nuk ishin siç vazhdojnë të jenë të gjitha këto minim i demokracisë në Kosovë e Shqipëri me qëllimin e vetëm të paralizimit të vendimmarrjes politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri?

A nuk është paralizimi i vendimmarrjes politike interes i pastër rus për ta vrarë kështu çdo nismë apo projekt amerikan që në nismë të tij?
Rusia promovon bllokada e izolime, sepse vetëm në këtë mënyrë pengon bashkimin e Evropës sipas kushteve amerikane. Çdo përçarje e kaos në Evropë dhe Ballkan çon ujë në Rusi, sepse Rusia e di mirë që një Evropë e bashkuar sipas kushteve amerikane përbën rrezik për sigurinë e saj. Pikërisht nga kjo frikë e Evropës së bashkuar Rusia bëri agresion në Ukrainë dhe po mundohet të ndezë vatra tjera lufte në Ballkan.

Prandaj, tentimi rus për përvetësimin e Ballkanit të Hapur ka pikërisht këtë qëllim të përçarjes së rajonit, e që me Kosovën jashtë tij po ja arrin 100% qëllimit të saj për t’i goditur përpjekjet e SHBA-së për ta bashkuar Evropën, një Evropë e cila e verbuar pas megatregjeve kishte filluar të rrëshqiste çdo ditë e më shumë kah Rusia, Kina, Turqia, Irani dhe Vendet Arabe.

Si paska mundësi që SHBA të provojë ta ringjallë Jugosllavinë përmes Ballkanit të Hapur, kur botërisht dihet që ishte fitorja e SHBA-së ndaj BRSS-së ajo që shkatërroi Jugosllavinë, Çekosllovakinë dhe vetë BRSS-në?!

Nëse Ballkani i Hapur qenka iniciativë ruse, si paska mundësi atëherë që SHBA t’i lejojë anëtaret e NATO-s (Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi) të futen nën një iniciativë ruse në zemër të Evropës dhe NATO-s, kur SHBA po e lufton Rusinë në Ukrainë, në Ballkan, në Lindje të Mesme, në Azi Qendrore dhe në çdo cep të globit?
Nëse Ballkani i Hapur qenka iniciativë ruse, pse SHBA lejon që t’i futet Rusia në Evropë, kur dihet që është vetë SHBA ajo që e ka ndërtuar Evropën pikërisht si përgjigje ndaj Rusisë?! Pse as evropianët s’e quajnë iniciativë ruse Ballkanin e Hapur, kur dihet që siguria e tyre edhe sot garantohet nga SHBA pikërisht kundër Rusisë?

Nëse Rusia e Serbia synim parësor e kanë shpërbërjen e shtetit të Kosovës, atëherë si duhet kuptuar antiamerikanizmin tonë në rritje? A e kemi pyetur veten ndonjëherë se si ka mundësi që për 23 vite çlirim e veç 14 shtetësi cak i sulmeve dhe refuzimeve në Kosovë të ishin vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, liderët e saj, ambasadorët, firmat dhe projektet e saj?

Pse veç projektet amerikane refuzohen e goditen në Kosovë? Pse poshtërohet e sabotohet shteti dhe institucionet e Kosovës kur dihet se që të gjitha u bënë nga Amerikanët? Pse sulmohet çdo arritje amerikane në Kosovë në këto 23 vite çlirim? Ku çonte ujë mosnjohja e shtetit të Kosovës dhe simboleve të saj? Ku çonte ujë të kritikuarit dhe akuzuarit e NATO-n se kjo na paskësh bërë marrëveshje të dëmshme për Kosovën? Pse atëherë NATO garantuaka sigurinë e Kosovës nësa bëka marrëveshje në dëm të Kosovës?

Kush gëzohet dhe ku çojmë ujë nëse kritikojmë, shajmë dhe refuzojmë SHBA-në dhe projektet e saj? Kush ka interes që në Kosovë të bie mbështetja amerikane? Mos ndoshta Rusia e Serbia që Kosovën e shohin si projekt amerikan? E nëse e shohin si të tillë, atëherë kush sulmuaka projektin amerikan? Vetë SHBA? Kjo s’ka asnjë logjikë.

Prandaj, Kosova si kurrë më parë e ka më se të nevojshme që t’i lexojë drejt konstelacionet ndërkombëtare krahas rreshtimit dhe mbështetjes së projeksioneve amerikane, ndaj duhet të veprojë konform tyre duke u përballur me Serbinë e jo duke ikur prej saj.

E keqja e Kosovës është Rusia e Serbia, e jo SHBA, pa të cilën sot Kosova veç shqip s’do të fliste.

Më qartë se kaq s’ka se si të jetë çështja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrethimi i Maltës ishte një nga betejat më të rëndësishme…