Pse Senati amerikan e “refuzoi” David Kostelancik si ambasador të SHBA-ve në Shqipëri

04 janar 2024 | 19:17

Një rregull i Senatit amerikan bëri që emërimi i diplomatit, David J. Kostelancik, si ambasador i Shteteve te Bashkuara të Amerikës (SHBA) të refuzohej duke u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Transmetuesi “Zëri i Amerikës” thekson se Senati – gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar – nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e Kostelancik dhe të dhjetëra të emëruarve të tjerë.

Emërimet e tyre janë bllokuar nga disa senatorë republikanë.

Kështu kandidatura e Kostelancik u kthye në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit.

Kjo klauzolë ravijëzon se “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ, i kthehen presidentit”.

“Nëse një emërim i kthehet presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”.

Si rregull presidenti mund të ridërgojë të njëjtët emra, ose mund t’i zëvendësojë ata.

Nëse presidenti i Amerikës ridërgon të njëjtën kandidaturë, procesi në senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo.

Në të kaluarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.

Emërimi i zotit Kostelancik, është mes 43 kandidatëve për poste diplomatike që mbetën peng i bllokimit nga disa senatorë republikanë që e kanë kushtëzuar konfirmimin me lëshime ndaj disa politikave që ata mbështesin.

Departamenti i Shtetit ka thënë se kjo rrezikon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Rikujtojmë se vetë Kostelancik, i emëruari i presidentit amerikan Joe Biden, ka parashtruar përballë Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, të gjitha përparësitë e tij si ambasador, në mandatit që e pret në rast konfirmimi në këtë post.

Thelbi për të, mbetej tek forcimi i institucioneve demokratike dhe atyre të drejtësisë në vend, si parësore të dyja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, shtoi ai përballë senatorëve amerikanë.

Ai aktualisht po shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.

Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Islami E largët është disa kur e kam takuar…