Publikohet Raporti i vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021

07 qershor 2023 | 00:01

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë vitit 2022 i është nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të performancës për vitet 2020-2021, për të ofruar një pasqyrë të saktë mbi zhvillimin institucional, dhe me qëllim të identifikimit të pikave të forta dhe atyre të dobëta ku ka nevojë për përmirësim.

Vlerësimi është kryer sipas kërkesave të Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA), në kuadër të Kornizën për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI), organ i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky vlerësim mbulon 6 domene dhe 25 indikatorë, duke përjashtuar ata që nuk janë të aplikueshëm për ZKA-në sipas mandatit dhe modelit “Westminster”.

Sipas vlerësimit, ZKA-ja ka arritur të përmbushë mandatin e saj kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit dhe qytetarëve një opinion të pavarur dhe të bazuar mbi mënyrën se si institucionet publike i përdorin burimet dhe kompetencat e tyre, duke i zbatuar SNISA-t në nivel të kënaqshëm. Megjithatë, janë identifikuar çështje specifike, të cilat duhet të adresohen.

Në këtë drejtim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, përveç që ka përshëndetur arritjet e treguara, është shprehur e përkushtuar që të ndërmarrë veprime menaxheriale dhe të zhvillojë më tej kornizën metodologjike, udhëzuesit dhe rregulloret përkatëse. Ajo ka theksuar se synimet e saj dhe të gjithë stafit janë që ZKA-ja të arrijë zbatimin e plotë të Kornizës së INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale brenda një periudhe të arsyeshme kohore.

Përmes këtij vlerësimi, ZKA-ja gjithashtu ka matur kontributin e vet në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në institucionet publike që i nënshtrohen auditimit dhe aspiron për t’u bërë organizatë model, duke udhëhequr me shembull në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies nëpërmjet raportimit publik të besueshëm për performancën e saj.

Për t’u siguruar për cilësinë e procesit, Raportit të vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021 i është bërë rishikimi i pavarur nga IDI-ja.

“Përfundimi i arritur pas rishikimit është se të gjitha objektivat ishin përmbushur në mënyrë të kënaqshme në raportin përfundimtar që IDI ka pranuar në mars 2023. Për të arritur në këtë përfundim, rishikuesi i pavarur është mbështetur në proceset e kontrollit të cilësisë së ekipit të vlerësimit dhe proceset e sigurimit të cilësisë së ISA-së për të siguruar se faktet mbi të cilat bazohen përfundimet janë të besueshme dhe të sakta. Çështjet e rëndësishme të ngritura gjatë procesit të rishikimit të pavarur janë adresuar në këtë version të RP të ISA-së”, është thënë në deklaratën nga Anas ABOU EL MIKIAS, rishikues i pavarur.

Sa i përket gjetjeve dhe vëzhgimeve kryesore mbi performancën e ZKA-së dhe ndikimit të tyre, ekipi i vlerësimit ka kryer një analizë të shkakut rrënjësor bazuar në të gjitha aspektet që ndikojnë në performancën e ZKA-së dhe rezultatet janë përmbledhur si në vijim: Mbulimi me auditim; Cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve; Afatet kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit; dhe Përcjellja e rezultateve të auditimit nga ZKA-ja.

Sa i përket mbulimit me auditim, është gjetur se ZKA-ja nuk ka arritur të zhvillojë një plan strategjik për përzgjedhjen e temave të auditimit të performancës, shkaktuar nga mungesa e një analize të thellë në procesin e planifikimit dhe ndërveprimit me palët e interesit. Kurse tek cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve, ekipi i vlerësimit ka identifikuar se udhëzuesi për kontrollin e cilësisë nuk është përditësuar në pajtim me manualin dhe metodologjinë e re, e cila filloi të aplikohet gjatë vitit 2020.

Ndërsa, sa i përket afateve kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit ekipi ka evidentuar se gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë me Covid-19, ZKA-ja ka pasur vonesa në dorëzimin dhe publikimin e raporteve të auditimit. E për sa i përket përcjelljes se rezultateve të auditimit ekipi ka identifikuar se niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit është i ulët.

Vetëvlerësimi i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021, është kryer nga ekipi në përbërje të Qendresë Mulaj, Dafina Strana Ujkani, Edona Abazi Demolli dhe Saranda Husaj Baraliu. Raporti është publikuar në ueb faqen e ZKA-së dhe mund ta gjeni në këtë link: https://zka-rks.org/wp-content/uploads/2023/06/RaportiVetvlersimit_SAI-_PMF_Kosovo_shq.pdf

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ashpër ndaj veprimeve…