Puigdemont lirohet nga burgu gjerman

06 prill 2018 | 17:13

Ish-lideri i Katalonisë, Carles Puigdemont, ka dalë nga burgu i Gjermanisë, pasi ka paguar 75 mijë euro për lirimin e tij me kusht, deri sa të merret vendimi për ekstradimin e tij në Spanjë.

Puigdemont, 55-vjeçar është larguar nga burgu, Neumuenster, në veri të Gjermanisë më 6 prill, pas gati dy javësh prej kur është ndaluar derisa ishte duke kaluar kufirin nga Danimarka.

Duke folur para gazetarëve jashtë burgut, ai ka falënderuar mbështetësit “në gjithë botën”.

Spanja akuzon Puigdemontin për rebelim dhe shpërdorim të fondeve publike lidhur me referendumin e paautorizuar për pavarësinë e Katalonjës në tetor të vitit 2016.

Më 5 prill, gjykata në shtetin verior, Schleswig-Holstein ka kundërshtuar kërkesën për ekstradim për rebelim, mirëpo ka thënë se ekstradimi në Spanjë është i mundshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të fondeve publike.

Zëdhënësja e Qeverisë spanjolle, ka thënë më herët se Spanja respekton vendimin e gjykatës gjermane.

Puigdemont është larguar nga Spanja pesë muaj më parë drejt Belgjikës, pasi kryeministri spanjoll, ka shkarkuar administratën rajonale.

Puigdemont është ndaluar muajin e kaluar në Gjermani, pas një fletarrestimi të lëshuar nga Spanja.

Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, Puigdemont ka thënë se “ne duhet të shikojmë drejt të ardhmes me shpresë dhe optimizëm sepse ne kemi një të drejtë, të drejtën për të mos lënë atë që të vjedhin të ardhmen tonë”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina zyrtare po e humb durimin nga pritja e gjatë…