Pulmologjia, aty ku urimi për festë, është lutja për jetë

31 korrik 2020 | 20:26

Këtë festë të kurban bajramit në gjithë botën shumë persona e pritën duke luftuar për jetë. Edhe në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilën po trajtohen 80 pacientë, prej këtyre 70 me oksigjeno-terapi, urimin e vetëm të shtririt e kanë që t’i mbijetojnë Covid-19-shit.

Të premten në hapësirat e Klinikës së Pulmologjisë duket se askujt nuk po i bie ndërmend për festën e kurban bajramit. I gjithë përqendrimi është tek ofrimi i shërbimeve mjekësore për pacientë që po qëndrojnë të shtrirë. Pothuajse secili pacient ka nevojë për pajisje të ndryshme mjekësore, të cilat në një mënyrë a tjetrën i mbajnë ata në jetë.

Për njërin nga të infektuarit këtu, ku zhurma e respiratorit është më e fuqishme se vetë zëri i tij, kjo është hera e parë që festë të bajramit pret në spital.

Një tjetër tregon se urimet për festë i ka bërë përmes telefonatave me familjarë.

Ai rekomandon që të shmangen vizitat në këtë kohë.

Mjeku kujdestar në këtë Klinikë, Flamur Marku, pohon se kanë pasur më shumë punë se në ditët e tjera, pavarësisht se është ditë feste. Më tutje, pulmologu thotë se u kanë sugjeruar pacientëve të mos pranojnë vizita për shkak se klinika është e mbingarkuar.

Edhe 12 infermierë po ndihmojnë mjekët në punët brenda klinikës. 19 kolegë të tyre janë të infektuar me Covid 19.

Edhe në oborrin e Klinikës Infektive, aty ku po ashtu trajtohen pacientë me Covid 19, në ditën e bajramit të vogël nuk pati shumë lëvizje. Aty u panë vetura që kryenin ceremoninë e funeraleve, në pritje të trupave që nuk u mbijetonin Covid-19-shit. /gazetaepress/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moti sot në Kosovë ka qenë i ndryshueshëm. Derisa paradite…