Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rishikimin e Ligjit për paga   

25 qershor 2019 | 12:53

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar të martën duke kërkuar marrëveshje kolektive në nivel të KEK-ut, dhënie të pagës jubilare në vazhdimësi, rivitalizimin e Termocentralit “Kosova A”, rishikimin e Ligjit për paga dhe rritjen e shujtës së ushqimit.

Kryetari i Sindikatës, Nexhat Llumnica, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që t’i kenë parasysh kërkesat e tyre dhe mos t’i shtyjnë punëtorët që të dalin në protesta.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve që mos të na nxisin të dalim në protesta, por që kërkesat tona të zbatohen”, ka thënë Llumnica.

Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër Selatin Sadiku, ka thënë se me vendimet e fundit të institucioneve po tentohet të minimizohet roli i punëtorëve të KEK-ut duke i barazuar ata me shërbyesit civil.

“Me vendimet e fundit po tentojnë të na barazojnë me administratën dhe shërbyesit civil. Menaxhmenti i KEK-ut duhet që të angazhohet në realizmin e kushteve të punëtorëve”, u shpreh ai.

Realizimin e kërkesave të punëtorëve e ka kërkuar edhe kryetar i sindikatës
“Kosova B”, Muharrem Gashi, i cili ka theksuar se këto kërkesa duhet të realizohen, përndryshe nuk do t’i ndalin protestat.

Mbështetje protestuesve u ka dhënë edhe kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj dhe ai i KOST-it, Adem Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Jakup Krasniqi Që në fillim të këtij shkrimi dua…