Punëtorët e spitalit të Mitrovicës protestojnë kundër sulmeve ndaj tyre

06 dhjetor 2019 | 14:02

Punëtorët e spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, kanë protestuar të premten para objektit të këtij spitali, në shenjë pakënaqësie ndaj sulmit ndaj dy infermierëve në vendin e tyre të punës, nga familjarët e pacientëve.

Sabrije Hakaj, anëtare e Sindikatës së punëtorëve në këtë institucion, ka thënë se do të përdorin të autoritetin e tyre në mbrojtje të punëtorëve shëndetësorë.

Ajo ka kërkuar nga pacientët dhe përcjellësit e tyre që të sillen drejt, duke respektuar të drejtat e tyre me ligje, por jo duke sulmuar ata nga të cilët kërkojnë ndihmë.

Ndërsa Sami Thaçi nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), duke dënuar sulmin ndaj kolegëve, u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete ndaj të gjithë atyre që sulmojnë profesionistët shëndetësorë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se policia ka reaguar menjëherë, duke arrestuar dy të dyshuarit për sulm ndaj punëtorëve të spitalit.

Të mërkurën mbrëma rreth orës 20:00 janë sulmuar fizikisht infermierët F.M. dhe A.H., të cilët kanë marrë lëndime trupore dhe janë trajtuar në spital. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi Ekzekutiv i BQK-së inicion procedurat e likuidimit për institucionet…